Osmani: Ukshin Hotit është pengu i shoqërisë dhe shtetit tonë

16 Maj, 2021 - 1:49 pm

Janë bërë sot plotë 22 vite nga zhdukja e veprimtarit të Lëvizjes Kombëtare, profesorit dhe intelektualit Ukshin Hoti, shkruan KultPlus.

Më 16 maj të vitit 1999 në rrethana ende të pa ndriçuara është zhdukur Ukshin Hoti.

Atë e ka kujtuar sot edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani e cila është shprehur se Ukshin Hoti është pengu i shoqërisë dhe shtetit tonë, ndaj përpjekja këmbëngulëse për zbardhjen e fatit të tij nuk duhet të pushojë asnjë ditë.

Tutje Osmani ka thënë se çështja e bardhjes së fatit të të zhdukurve nga regjimi serb do të jetë prioritet i qeverisë.

Ky është postimi i plotë i Osmanit:

Më 16 maj të vitit 1999, atdhetari e mendimtari Ukshin Hoti u lirua nga Burgu i Dubravës. Që prej asaj dite asgjë për fatin e tij, përpos kujtimit të çdovitshëm dhe rëndimit të ndërgjegjes sonë për mendimtarin politik, i cili prej 22-vjetësh vazhdon të mbetet në listat e të pagjeturve, të cilët janë rrëmbyer dhunshëm nga regjimi gjenocidal serb.

Fati i Ukshin Hotit është pengu i shoqërisë dhe shtetit tonë, ndaj përpjekja këmbëngulëse për zbardhjen e fatit të tij nuk duhet të pushojë asnjë ditë.

Me një vepër të bukur politike mund të shpëtohet një popull, thoshte Ukshin Hoti. Ai e nisi idenë e “veprës së bukur politike”, për lirinë, republikën dhe demokracinë, porse synimi i mendimtarit politik e filozofik mbeti në gjysmë.

Republika e tij është bërë. Dy dekada në kërkim të tij, Republikës i duhet Ukshin Hoti.

Çështja e zbardhjes së fatit të të pagjeturve, të cilët u zhdukën dhunshëm nga regjimi serb, është prioritet i yni dhe parakusht për paqe të qëndrueshme në rajon! / KultPlus.com

Të ngjajshme