Özgül Özkan Yavuz: Shqipëria po bëhet tejet aktive në turizëm

4 Prill, 2023 - 12:25 pm


Në ditën e dytë të Konventës Ndërkombëtare të Turizmit që zhvillohet në Tiranë, zëvendësministrja e Kulturës dhe Turizmit e Turqisë, Özgül Özkan Yavuz e vuri theksin te zhvillimi i turizmit rajonal.

Yavuz u shpreh se Shqipëria po bëhet tepër aktive në fushën e turizmit. “Vitin e shkuar vizitova Shqipërinë për një çështje kulturore kurse sivjet po vijmë në forum turizmi dhe është zhvillim goxha i mbarë”, u shpreh ajo.

Ajo tha se Turqia është një nga 10 vendet kryesore në industrinë e turizmit dhe vitin e shkuar vendi pati diku te 52 milionë hyrje që gjeneruan 46 miliardë dollarë.

“Kjo industri është madhore për ne. Me miliona njerëz në Turqi janë të punësuar të drejtpërdrejtë apo tërthorazi në këtë industri. Turizmi është shumë i rëndësishëm për ne dhe do të donim ta shtonim, të rrisnim ose të prezantonim formate të rinj turistikë apo të të bërit turizëm. Kemi produkt goxha të fortë në turizmin bregdetar dhe nuk është e lehte të konkurronim aty, por do të donim të rrisim dhe shtonim efektin pozitiv që ka turizmi në zhvillimin tonë rajonal dhe për këtë arsye po shtrojmë tematikën dhe po flasim për turizmin rural dhe jemi të lumtur që jemi renditur te fshatrat më të bukur turistikë. Jemi në këtë listë me tre destinacione të vogla”, tha ministrja turke.

“Kemi ambicie për një turizëm sa më të gjelbër dhe më të qëndrueshëm në Turqi. Turqia është vendi i parë që ka nënshkruar një marrëveshje me Këshillin e Turizmit të Qëndrueshëm këtë vit dhe do të shndërrohet në detyrim për tërë mjediset tona turistike me hotel-restorante dhe gjithçka tjetër që deri në vitin 2030, 25 mijë biznese do të jenë të certifikuar në këtë certifikatë të turizmit të qëndrueshëm. Sivjet sa e nisëm këtë proces dhe sakaq 10% e industrisë sonë është certifikuar dhe kjo përbën sfidën tonë të radhës”, tha Özgül Özkan Yavuz. / atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme