Pacientët që kanë kaluar Covid 19 rehabilitohen në një minierë kripe

25 Shkurt, 2021 - 4:47 pm

Një minierë historike kripe, e njohur gjithashtu si një nga tërheqjet kryesore turistike të Polonisë, u ofron pacientëve që kanë vuajtur nga COVID-19 një mundësi për t’u rehabilituar në 135 metra nën tokë.

Resorti Shëndetësor i Minierës së Kripës “Wieliczka” siguron kujdes pulmonologjik, laringologjik dhe alergologjik për personat që luftojnë për të shpëtuar nga efektet e mbetura të virusit.

Një nga dhomat e saj strehon një sanatorium të specializuar, ku krijohet një mikroklimë unike falë qarkullimit në ajër të grimcave minerale që dalin nga kripa, një temperature e qëndrueshme rreth 13-14,5 gradë Celcius dhe lagështisë së lartë të ajrit.

“Ajri shërues ka një efekt pozitiv si në gjendjen shpirtërore, ashtu edhe në gjendjen e të gjithë trupit”, thonë mjekët.

“Ajri i minierës është pa ndotës dhe alergjenë”, tha dr. Anna Pelkoëska, një alergologe dhe nëndrejtoreshë për çështjet mjekësore në vendpushimin shëndetësor.

“Asnjë pastrues ajri nuk mund të sigurojë cilësinë e ajrit që kemi nën tokë”, shtoi ajo.

Seancat e terapisë mbahen çdo ditë, nga e hëna në të premte, dhe pacientët qëndrojnë në sanatoriumin nëntokësor ku janë nën mbikëqyrjen e vazhdueshme të një mjeku, fizioterapisti dhe një infermiereje.

Trajtimet zgjidhen individualisht, në varësi të gjendjes shëndetësore të pacientit./ata/ KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme