7 Gusht, 2025 - 7:09 pm
Sonte në mbrëmje, në kuadër të DokuFest në Prizren, do të ketë premierën dokumentari “Palace of Youth”, një projekt i realizuar ndër vite që sjell në ekran realitetin e të rinjve kosovarë përmes muzikës, tregimeve personale dhe shprehjes kreative.
Regjisorja Maddie Gwinn sjell një pasqyrë të skenës muzikore underground në Kosovë, duke ndjekur jetën, sfidat dhe ëndrrat e një brezi që përfaqëson mbi 55% të popullsisë, të rinj nën moshën 25 vjeç, shkruan KultPlus.
Këngëtarja me prejardhje shqiptare Rita Ora, që është edhe producente ekzekutive e dokumentarit, ndau emocionet në rrjetet sociale:
“Jam shumë e emocionuar që sonte ‘Palace of Youth’ do të ketë premierën në DokuFest – ka qenë një proces shumëvjeçar. Kur Odessa, Maddie dhe ekipi ma prezantuan këtë projekt, e pranova menjëherë për të vënë në pah talentin e jashtëzakonshëm të të rinjve në Kosovë. Përmes muzikës zbulojmë historitë, rrugëtimet, sfidat dhe fitoret e tyre. Të dëgjosh gjithçka ka qenë jashtëzakonisht prekëse. Jam e nderuar që jam pjesë e diçkaje kaq të vërtetë.”
Muzika në dokumentar vjen nga artistë të rinj kosovarë si Suada Abazi, Edona Vatoci, Lekë Morina dhe Donat Vatoci, të cilët sjellin një tingull autentik dhe bashkëkohor që lidhet ngushtë me realitetin kulturor të vendit.
Palace of Youth zgjat 66 minuta dhe përmes pamjeve, tingujve dhe tregimeve personale, sjell në ekran një brez të rritur në një vend me sfida të shumta, por me një potencial të jashtëzakonshëm përmes artit dhe vetë-shprehjes./KultPlus.com