Panairi artizanal gjallëron qendrën e Podujevës në kuadër të “Ditëve të Diasporës”

5 Gusht, 2025 - 6:30 pm

Në sheshin qendror të Podujevës është hapur sot panairi artizanal, pjesë e manifestimit tradicional “Ditët e Diasporës”, duke sjellë ngjyra, shije dhe kulturë për qytetarët dhe mërgimtarët që ndodhen në vend.

Panairi organizohet nga shoqatat “Duart e Arta Llapjane” dhe “Gratë e Batllavës”, dhe ofron produkte artizanale, veshje kombëtare si dhe ushqime tradicionale të përgatitura nga gratë e zonës.

Në hapje morën pjesë Kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi, Nënkryetarja Marigona Lahu, deputetja Drita Pajaziti dhe drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport, Vlora Humolli-Jashanica.

Kryetari Bulliqi vlerësoi kontributin e grave pjesëmarrëse në panair, duke theksuar rolin e tyre në ruajtjen e trashëgimisë kulturore përmes artizanatit dhe gatimeve tradicionale.

Ky është panairi i tretë në kuadër të aktiviteteve të “Ditëve të Diasporës” dhe do të mbetet i hapur edhe gjatë ditës së nesërme për të gjithë vizitorët që duan të njohin nga afër punimet dhe shijet tradicionale të rajonit të Llapit./KultPlus.com

Të ngjajshme