Panairi i Artizanit në Gjirokastër, punime dhe atmosferë mesjetare në Pazarin e Vjetër

7 Shtator, 2025 - 5:45 pm

Panairi i Artizanatit në Gjirokastër është kthyer në një traditë të bukur të qytetit të gurtë.

Për tri ditë me radhë, dhjetëra artizanë nga zona të ndryshme të vendit kanë ekspozuar punimet e tyre në Panairin e Artizanatit, duke rikthyer atmosferën mesjetare të pazarit si qendër prodhimi, zejesh dhe shkëmbimesh.

Punimet e ekspozuara përfshijnë teknika autentike shekullore, një pjesë e të cilave janë pjesë e trashëgimisë jomateriale që sot konsiderohet e rrezikuar. Në stendat e vendosura përgjatë rrugicave të gurta gjenden endje në vegjë, punime në gur dhe dru, vegla muzikore tradicionale, por edhe produktet e zaireve të dimrit, një traditë e hershme ku familjet lokale përgatisnin reçelra, turshi, gliko dhe produkte të tjera tradite për muajt e dimrit.

Panairi është shoqëruar edhe me rritje të dukshme të vizitueshmërisë. Operatorët turistikë raportojnë se kapacitetet e akomodimit në qytet janë të rezervuara mbi 70% përgjatë ditëve të fillimit të shtatorit.

Mbrëmjet në Gjirokastër janë mbushur me polifoni, veshje tradicionale dhe muzikë popullore, këngëtarë të njohur të muzikës moderne dhe DJ përgjatë natës duke krijuar një atmosferë ideale për qindra të rinj.

Gjirokastra po krijon një profil më të qartë turistik, ku trashëgimia dhe artizanati po bëhen pjesë përbërëse e ofertës turistike.

Nga produktet tradicionale, muzika polifonike tek zejet e hershme, qyteti po e ndërton fizionominë e tij si një destinacion kulturor, ku turizmi lidhet drejtpërdrejt me ruajtjen dhe promovimin e traditës./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme