9 Maj, 2025 - 3:35 pm
Papa i ri i Kishës Katolike, Leo XIV, mbajti meshën e tij të parë këtë të premte në Kapelën Sistine, më pak se 24 orë pas zgjedhjes së tij si pontifi i 267-të dhe pasardhësi i Papa Françeskut.
Ish-kardinali Robert Prevost, amerikani i parë që ngjitet në fronin papnor, u shfaq i qetë gjatë meshës së kremtuar në mesin e kardinalëve që e zgjodhën atë.
I veshur me petka të thjeshta të bardha e të arta, Papa Leo, i lindur në Çikago dhe ish-misionar për dy dekada në Peru, foli fillimisht shkurtimisht në anglisht, për të vazhduar predikimin në italisht të rrjedhshëm.
Në homelinë e tij, Papa 69-vjeçar theksoi vizionin për një Kishë që shërben si “administratore besnike” për të gjithë besimtarët.
Ai paralajmëroi për pasojat e mungesës së besimit në botën moderne, duke përmendur “humbjen e kuptimit të jetës, shpërfilljen e mëshirës, shkeljet tronditëse të dinjitetit njerëzor dhe krizën e familjes”, raporton Reuters, transmeton Klankosova.tv.
Zgjedhja e një amerikani si papë ishte e papritur, pasi shumë mendonin se një “superfuqi” si SHBA nuk do të mund të drejtonte Kishën botërore.
Megjithatë, Leo XIV mban edhe shtetësinë peruviane dhe ka kaluar pjesën më të madhe të jetës së tij në shërbim të të varfërve në Amerikën Latine, veçanërisht si ipeshkëv në qytetin Chiclayo nga viti 2015 deri në 2023.
Qytetarët e Chiclayo-s dolën në rrugë për të festuar zgjedhjen e “njërit prej tyre”, ndërsa kambanat e kishave kumbonin në shenjë gëzimi.
Zgjedhja e emrit “Leo” është e ngarkuar me simbolikë. Papa i fundit me këtë emër, Leo XIII (1878-1903), ishte i njohur për angazhimin e tij ndaj drejtësisë sociale dhe për përpjekjet për ta sjellë Kishën më pranë punëtorëve dhe të varfërve, një vizion që duket se Papa i ri synon ta vazhdojë.
Meshë inaugurale për Papa Leo XIV do të mbahet të dielën, më 18 maj, në Sheshin Shën Pjetër. Janë ftuar liderë botërorë dhe fetarë në këtë ngjarje madhështore, që shënon nisjen zyrtare të papatit të tij. Inaugurimi i Papa Françeskut në vitin 2013 tërhoqi mbi 200,000 besimtarë.
Papa i ri do t’i mbajë përkohësisht në detyrë zyrtarët aktualë të Vatikanit, përpara se të marrë vendime për ndryshime eventuale. Ai trashëgon një Kishë me sfida të shumta: nga mungesa në buxhet, ndarjet për çështjet LGBT dhe rolin e grave, e deri te përgatitjet për Vitin e Shenjtë, që do të sjellë miliona pelegrinë në Romë.
Pavarësisht profilit të tij të ulët publik, Leo XIV ka qenë një figurë kyçe në Vatikan, sidomos në zgjedhjen e ipeshkëve të rinj në mbarë botën. Kjo e bën atë një figurë me ndikim të madh, dhe të shumëpritur për t’u parë në veprim.