1 Qershor, 2025 - 4:56 pm
Papa Leone XIV bekoi sot çiklistët, përpara etapës së fundit të ”Giro d’Italia”.
Papa përshëndeti pjesëmarrësit para fillimit të etapës 143 kilometrërshe, e cila filloi në Vatikan për t’i bërë homazh udhëheqësit të ri të Kishës Katolike dhe për t’i dhënë lamtumirën papa Françeskut, përpara se të hynte në garën zyrtare.
Para se të kalonte nëpër Vatikan, ”Fanella rozë”, Simon Yates dhe çiklistët e tjerë shtrënguan duart me papën, i cili në këmbim mori një fanellë rozë, të veshur tradicionalisht nga udhëheqësi i garës.
“Çiklizmi është shumë i rëndësishëm. Faleminderit për gjithçka që bëni. Shpresoj ta kujtoni gjithmonë rolin tuaj si një model për të tjerët. Jeni gjithmonë të mirëpritur këtu”, tha papa.
“Shpresoj që për të gjithë ju të jetë vërtet një ditë e bukur. Ju falënderoj për gjithçka që bëni. Ju jeni vërtet modele për të rinjtë dhe ashtu siç keni mësuar të kujdeseni për trupin, edhe shpirti është gjithmonë i bekuar. Jini gjithmonë të vëmendshëm ndaj të gjithë qenies njerëzore: trupit, mendjes, zemrës dhe shpirtit. Urime të gjithëve”, përfundoi papa duke bekuar atletët.
Ndalesa në Vatikan thuhet se ishte një nga vendimet e fundit të papa Françeskut, i cili vdiq të hënën e Pashkëve.
Është hera e parë që etapa e fundit e ”Giro”-s kalon nëpër Vatikan./atsh/ KultPlus.com