Papa Leone XIV viziton shenjtëroren e Nënës së Këshillit të Mirë, kisha ku ruhet imazhi i ‘Zojës së Shkodrës’

11 Maj, 2025 - 12:33 pm

Papa Leone XIV ka zhvilluar vizitën e tij të parë jashtë Vatikanit ku zgjodhi një vend simbolik tejet të dashur për shqiptarët, shenjtëroren e Nënës së Këshillit të Mirë në Gjenancan, jashtë Romës.

Në këtë kishë ndodhet imazhi i Zojës, ardhur nga Shkodra e pritur pikërisht nga augustinianët, që shërbejnë në atë kishë, në urdhërin e të cilëve bën pjesë edhe Ati i Shenjtë.

Të gjithë e dinë historinë e ikjes së Zojës nga Shkodra për t’u shpëtuar otomanëve, duke ardhur në Gjenacan, ku augustinianët i kushtuan kishën e ku shtegtojnë çdo vit besimtarë katolikë shqiptarë nga gjithë Italia e nga të gjitha anët e botës. Jo më larg se më 25 maj, të dielën e fundit të muajit, siç është tashmë traditë, shqiptarët do të shkojnë sërish në shtegtim te Zoja për ta kaluar ditën bashkë me të, me meshën në orën 12.30 të kremtuar nga kryetari i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, imzot Gjergj Meta.

Kujtojmë se figura e Zojës së Këshillit të Mirë ishte veçanërisht e dashur për paraardhësin me të njëjtin emër të Papës aktual, për Papën Leone XIII, i cili nuk arriti ta vizitonte kurrë, por që në vitin 1903 e ngriti kishën në dinjitetin e një bazilike minore.

Edhe Papë të tjerë kanë shkuar për t’u lutur te Nëna e Këshillit të Mirë: Papa shenjt Gjoni XXIII në vitin 1959 dhe Papa shenjt Gjon Pali II në vitin 1993, para se të nisej për në Shqipëri, ku pikërisht në Shkodër çoi kopjen e fugures së Zojës. Papa Leone XIV pati shkuar herën e fundit si kardinal, më 25 prill 2024, për të kremtuar festën e “Ardhjes” së Nënës së Këshillit të Mirë në Gjenacan. Në homelinë e tij, kardinali i atëhershëm Prevost shprehu përkushtimin e ndaj Virgjërës, duke u bërë thirrje besimtarëve që të frymëzohen nga Maria për të përhapur paqen dhe pajtimin në botë.

Pas vizitës së tij të papritur në kishën e Zojës së Këshillit të Mirë në Genazzano, Papa Leone shkoi në Santa Maria Maggiore për t’u lutur personalisht te varri i paraardhësit të tij, Françeskut. Gjesti i parë ishte gjunjëzimi dhe vendosja e një trëndafili të bardhë – në kujtim të Shën Terezinës, për të cilën Papa Bergoglio kishte shumë devocion – në pllakën e mermertë ku është gdhendur emri ”Franciscus”./atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme