Parashikimi i OBSH-së për fundin e pandemisë

29 Maj, 2021 - 9:28 am

Drejtori i OBSH për rajonin e Evropës, Hans Kluge, paralajmëroi se pandemia e Covid-19 nuk do të përfundojë derisa të paktën 70% e njerëzve të vaksinohen dhe kritikoi shpërndarjen e vaksinave në rajon duke e konsideruar shumë të ngadaltë.

“Mos mendoni se pandemia e Covid-19 ka përfunduar,” tha Kluge në një intervistë për Agence France-Presse (AFP) dhe shtoi se normat e vaksinimit duheshin rritur. “Pandemia do të mbarojë pasi të kemi arritur 70% mbulim minimal në vaksinimin,” tha ai, transmeton KultPlus.

Në 53 vendet dhe territoret që përbëjnë rajonin europian të OBSH-së – përfshirë disa rajone në Azinë Qendrore – 26% e popullsisë ka marrë dozën e parë të një vaksine për Covid. Në Bashkimin Europian, 36.6% e popullsisë ka marrë të paktën një dozë dhe 16.9% janë vaksinuar plotësisht, sipas një numërimi nga AFP.

Kluge tha se një nga shqetësimet e tij kryesore ishte rritja e transmetimit së varianteve të reja.

“Ne e dimë për shembull se B.1617 (varianti indian) është më i transmetueshëm se B.117 (variant britanik), i cili tashmë ishte më i transmetueshëm se lloji i mëparshëm.”

Ai nënvizoi gjithashtu se shpejtësia është “thelbësore” gjatë pandemisë.

“Miku ynë më i mirë është shpejtësia, koha po punon kundër nesh dhe zhvillimi i vaksinimit vazhdon ende shumë ngadalë. Nuk është e pranueshme që disa vende të fillojnë të vaksinojnë pjesën më të re, të shëndetshme të popullsisë, ndërsa vendet e tjera në rajonin tonë ende nuk mbulojnë të gjithë punonjësit e kujdesit shëndetësor dhe njerëzit më të prekshëm.” / KultPlus.com

Të ngjajshme