24 Korrik, 2025 - 3:08 pm
Parku i vetëm detar kombëtar i Shqipërisë, Sazan-Karaburun, po shijon një sezon turistik të suksesshëm, duke tërhequr një numër të lartë turistësh vendas dhe të huaj. Udhëtimi me anije drejt këtij parku natyror ofron mundësinë për të kaluar një ditë të paharrueshme në gjirin e Vlorës, duke eksploruar bukuritë e natyrës dhe atraksionet e veçanta të këtij vendi unik.
Kapiteneria e portit të Vlorës ka njoftuar se për muajin qershor, 8876 turistë vizituan parkun Sazan-Karaburun, dhe numri i vizitorëve vijon të rritet edhe gjatë muajit korrik. Vizitorët vijnë nga vende të ndryshme të Evropës dhe botës, duke bërë që ky park të jetë një destinacion tërheqës për ata që kërkojnë eksperienca të veçanta natyrore dhe kulturore, transmeton atsh
Në portin e Vlorës operojnë 12 anije turistike të licencuara për të kryer udhëtime në këtë park. Sazan-Karaburuni është një atraksion kryesor për ata që duan të shijojnë peizazhe mahnitëse detare dhe të zbulojnë monumentet natyrore të këtij parku, i cili shtrihet në një sipërfaqe detare prej rreth 1,9 km.
Një nga atraksionet më të vizituara është Shpella e Haxhi Aliut, e njohur për bukurinë e saj natyrore dhe historinë që fshihet brenda saj. Po ashtu, Gjiri i Gramës, i njohur si skaji më i largët jugor i parkut detar, ofron një përvojë të paharrueshme për vizitorët që kërkojnë relaks dhe qetësi. Ishulli i Sazanit, një tjetër atraksion i njohur, është kthyer në një pikë tërheqëse për turistët që kërkojnë të zbulojnë bukuri të veçanta natyrore.
Parku ofron gjithashtu një eksperiencë të jashtëzakonshme natyrore në brigjet e tij të Shën Vasilit, Shën Janit dhe Gjirit të Djallit, duke ofruar mundësi për peshkim dhe relaks në një ambient natyror unikal.
Një tjetër arsye për të vizituar këtë park është biodiversiteti i tij i pasur. Breshka e detit, foka e Mesdheut, delfinët, dhe peshkaqenët janë disa nga speciet që e bëjnë këtë park të rëndësishëm për ruajtjen e ekosistemit detar.
Sazan-Karaburuni, si parku detar më i rëndësishëm i Shqipërisë, vazhdon të jetë një destinacion i preferuar për turistët, duke ofruar një përvojë të pasur dhe të veçantë në natyrën shqiptare./KultPlus.com