Parku Kombëtar i Butrintit hap dy prej mozaikëve për publikun

23 Korrik, 2025 - 1:09 pm

Parku Kombëtar i Butrintit njoftoi vizitorët e tij, përmes rrjeteve sociale, për hapjen e dy prej mozaikëve të tij.

Mozaikët e hapur rishtazi për publikun janë: mozaiku i Termës Romake dhe mozaiku i Gjimnazit. Të dy këta mozaikë, të cilët u hapën dje (22 korrik) do të qëndrojnë të hapur deri më datën 15 gusht dhe më pas mbulohen përsëri për t’u ruajtuar.
Parku Kombëtar i Butrintit fton të zbuloni nga afër bukurinë dhe historinë që fshehin këto mozaikë të rrallë, të cilët gjatë një pjese të vitit qëndrojnë të mbyllur, mbuluar me rërë, për t’i ruajtur. Kjo ndodh edhe për shkak të nivelit të lartë të ujit të liqenit.

Butrinti është një nga qendrat arkeologjike dhe natyrore më të vizituara të Shqipërisë, që mbrohet nga UNESCO. Ritmi i turistëve këtë vit vlerësohet të jetë më i lartë se vitet pararendëse.

Butrinti, ashtu si shumë qendra të tjera të rëndësishme arkeologjike në Shqipëri, u shpall Monument Kulture, që në vitin 1948 me një Akt të Parë rregullues për Monumentet e Kulturës. Në vitin 1981, zona e pyllëzuar përreth Butrintit u shpall gjithashtu Monument Kulture sipas ligjeve ekzistuese, për mbrojtjen e zonave arkeologjike me rëndësi mjedisore. Në rrafshin ndërkombëtar, rëndësia e qytetit antik u njoh dhe u konfirmua si e tillë në vitin 1992, kur ai u përfshi në Listën e pasurive Botërore të UNESCO-s./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme