Parqet arkeologjike të Shqipërisë me mbi 130 mijë vizitorë për 6 muaj

30 Korrik, 2019 - 3:00 pm

Parqet arkeologjike të Shqipërisë kanë zgjuar interesin e turistëve të huaj dhe vendas gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti. Sipas statistikave që kanë nxjerrë institucionet e vendit, këto parqe në Shqipëri kanë pritur 130.785 vizitorë gjatë periudhës janar-qershor 2019.

“Janë 10 mijë vizitorë më shumë se një vit më parë”, ka raportuar të hënën Agjencia Telegrafike e Lajmeve. Shqipëria ka një sërë lokalitetesh arkeologjike, si Butrinti, Apolonia, Oriku, Amantia e të tjera. Atraksione janë edhe kalatë, si ajo e Gjirokastrës, Lëkurësit në Sarandë, Kalaja e Krujës, Beratit, Elbasanit, kalaja e Petrelës në Tiranë, ajo e Ali Pashës në Tepelenë, kalaja e Rozafës në Shkodër e të tjera.

Autoritetet shqiptare ka kohë që promovojnë projekte që fuqizojnë turizmin kulturor. Në fund të muajit maj, në kuadër të hapjes së sezonit turistik veror në Shqipëri dhe në zbatim të politikave të Ministrisë së Kulturës për promovimin e vlerave të kulturës, artit dhe trashëgimisë kulturore, Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare në Vlorë kishte nisur një fushatë për rinovimin e tabelave informuese nëpër monumente. “Një moment i rëndësishëm për Vlorën, që nuk do të njihet vetëm për bregdetin e saj, por edhe për Qendrën Historike”, kishte thënë ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti. /KultPlus.com

Të ngjajshme