Parqet dhe kishat e rilindura në Vlorë, Sarandë e Delvinë presin turistët

23 Gusht, 2023 - 8:19 pm

Sitet historike, pjesë e trashëgimisë kulturore të vendit, kanë qenë destinacione shumë tërheqëse për turistët edhe gjatë këtij sezoni veror.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale disa prej këtyre atraksioneve në Vlorë, Sarandë e Delvinë, të cilat sipas tij, kanë pritur shumë vizitorë e turistë.

“Një hap përpara për turizmin në Vlorë, Sarandë e Delvinë, ku parqe dhe kisha të rilindura si monumente të paçmuara të Trashëgimisë sonë Kulturore presin plot vizitorë e turistë”, u shpreh Rama.

Për gjithë të interesuarit e historisë, ai veçoi banesën me dy peristile në Parkun Arkeologjik të Finiqit; kishën e “Shën Mërisë” në fshatin Malçan të Bashkisë Finiq; “Puset e Vjetra” në fshatin Dhrovjan të Bashkisë Finiq; si dhe kishën e “Shën Mëhillit” në fshatin Kostar të Bashkisë Finiq.

Po ashtu, Rama solli në vëmendje edhe kishën e “Shën Janit” në Bashkinë Delvinë; murin rrethues të kishës së “Shën Mërisë Kameno” në Bashkinë Delvinë; portën e kishës së “Shën Kollit” në Fshatin Mesopotam.

Për periudhën janar-korrik, në parqet arkeologjike të vendit u regjistruan 173 560 vizitorë./KultPlus.com

Të ngjajshme