Parregullësi në thirrjen e subvencioneve në Gjilan, kryetari Hyseni anulon konkursin dhe shkarkon komisionin

29 Mars, 2022 - 8:46 pm

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni sot nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale ka bërë të ditur për parregullsitë e mjaftueshme në mënyrë që të anulohet procesi i thirrjes publike për subvencionimin e organizatave dhe individëve nga fusha e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

“Shkarkojmë komisionin vlerësues dhe rihapim thirrjen nga fillimi për të cilën do të themelojmë komision të ri dhe do të sigurojmë monitorim të procesit”, ka shkruar Hyseni.

Më poshtë KultPlus ua sjell postimin e plotë të tij:

Ne jemi zotuar për komisione të pavarura nga politika, profesionale dhe të pandikuara, gjithmonë duke siguruar vlerësim të drejtë dhe mundësi të barabarta për të gjithë. Përveç zotimit ky është edhe obligim i yni.

Nga vlerësimi i bërë procesit ne konstatojmë për parregullsi, të mjaftueshme për ta kontestuar dhe për të vendosur për anulim të gjithë procesit të thirrjes publike për subvencionimin e organizatave dhe individëve nga fusha e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Shkarkojmë komisionin vlerësues dhe rihapim thirrjen nga fillimi për të cilën do të themelojmë komision të ri dhe do të sigurojmë monitorim të procesit.

Gjithashtu dua të përcjell porosinë për secilin dhe kudo që synon parregullsinë se ne nuk do të kemi tolerancë ndaj askujt sepse kemi marrëveshje me qytetarin për transparencë, llogaridhënie dhe korrektësi.

Ne jemi të vendosur dhe këtu nuk ka mes e as kompromis.

Ftoj qytetarët për bashkëpunim, kudo që ata identifikojnë parregullsi t’i raportojnë ato dhe të llogarisin për partner pushtetin e ri sepse vetëm bashkë mund ta bëjmë ndryshimin për të cilin jemi zotuar dhe kemi marrë besimin e tyre.

Ju faleminderit. / KultPlus.com

Të ngjajshme