Pas 60 viteve Teatri i Operas dhe Baletit me pamje të re, artistët rikthehen në ambientet e reja

22 Shkurt, 2020 - 9:02 am

Pas 60-të vitesh nga krijimi i tij Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit në Shqipëri ka tashmë një pamje të re për artistët dhe artdashësit kryeqytetas.

Ky institucion është kthyer në një tempull të muzikës lirike, baletit klasik me kushte moderne dhe i krahasueshëm me skenat europiane.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, vizitoi nga afër ambientet e reja të TKOB-it, ku theksoi se “jemi shumë të vetëdijshëm që mund të jetë një proces rehabilitimi edhe i juaji këtu në ambientet e reja, mund të jenë disa gjëra që mund të mungojnë apo mund të përmirësojmë edhe për të shkuar përtej polemikave dhe kritikave ju e dini që ne kemi qenë gjithnjë këtu për ti gjetur dhe zgjidhur”.

Drejtoresha e TKOB-it, Zana Çela u shpreh se “ju falënderoj shumë për durimin tuaj gjatë këtij harku trevjeçar, dhatë maksimumin tuaj ne nuk bëmë ndonjë pakt apo plan me të njëjtin ritëm, por secili nga e ndjeu vetë edhe ne bëmë atë që nuk u ndje, që teatri ishte në rikonstruksion”.

Teatri Kombëtar të Operas dhe Baletit është transformuar si nga akomodimi ashtu dhe garancia e parametrave teknikë e profesionalë të akustikës cilësisë së zërit dhe me një skenë moderne në qendër, falë investimit të Qeverisë shqiptare.

Salla e Teatrit të Operas dhe Baletit ka filluar të shfrytëzohet që nga shtatori i vitit 1966 dhe që në fillim janë hasur problemet që lidheshin me akustikën si: intensiteti i ndryshëm i përhapjes së valëve zanore në mënyrë jo të njëtrajtshme në pika të ndryshme (dhe veçanërisht në llozhën qeveritare) dhe dëgjimi i dobët dhe pa kolorit. Për këtë u bënë ndërhyrjet e para në akustikë në vitin 1975.

Gjendja e përgjithshme e ndërtesës shfaqej e rënduar dhe e amortizuar në kohë. Gjatë viteve, në objekt është ndërhyrë pjesërisht në rifiniturë dhe në mirëmbajtje. Ndërhyrje rrënjësore në strukturë nuk ka patur asnjëherë që prej kohës së ndërtimit të tij.

Në imazhin e ri të TKOB ka më tepër hapësira për shfaqje, për personelin dhe publikun./atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme