Pas shtëpisë ikonë të Kadaresë, përfundon kinemaja historike e Maks Velos

21 Gusht, 2019 - 11:34 am

Bashkia e Tiranës ka përfunduar rikonstruksionin e plotë të kinemasë së Laprakës, e cila ndryshe njihet edhe si kinemaja e Maks Velos.

Godina e vjetër emblematike që është projektuar nga Maks Velo, është rikonstruktuar totalisht dhe tashmë është gati ti shërbejë 60 mijë banorëve të kësaj njësie si një kinema, qendër për aktivitete kulturore dhe artistike, shfaqje, konventa, seminare, promovime librash, teatër, etj. Gjithashtu, mjediset e reja do t’i vijnë në ndihmë edhe nxënësve, që studiojnë në shkollat në Laprakë, për organizimin e aktiviteteve të ndryshme kulturore, duke përmirësuar në këtë mënyrë edhe jetën artistike të zonës, e cila deri pak vite më parë ishte lënë në harresë.

Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj thotë se pas shtëpisë ikonë të Kadaresë, shumë shpejt është gati kinemaja e Laprakës ose ndryshe kinemaja historike e Maks Velos.

“Një kinema e re në qytet? Pas shtëpisë ikonë të Kadaresë, shumë shpejt është gati kinemaja e Laprakës ose ndryshe kinemaja historike e Maks Velos”, -tha Veliaj.

Po kështu, specialistët e njësisë administrative nr.11 në Tiranë thonë se “kur historia e qytetit gërmohet, rijetëzohet dhe zhvillohet nga “pallati kubik” i Kadaresë, tek piramida, teatri e kinematë në çdo lagje të Tiranës! Kinemaja e Laprakës po bëhet gati të flasë nëpërmjet artit arkitekturorë të Maks Velos, i cili kaloi jo pak sfida të regjimit për shkak të prirjeve të tij moderniste”. / atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme