Pasi u shpall plagjiator, reagon Bujar Dugolli

22 Qershor, 2022 - 3:08 pm

Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim, ORCA, sot ka njoftuar se Këshilli i Etikës në Universitetin e Prishtinës ka konstatuar se “punimi i paraqitur nga profesorët Dugolli dhe Kastrati ka përmbajtje të theksuar të plagjiaturës dhe si rrjedhojë i ka shkelur të gjitha standardet e ndershmërisë akademike dhe kredibilitetit në publikime shkencore”.

Pas kësaj, ka reaguar profesori universitar, Bujar Dugolli. Ai në një postim në Facebook ka shkruar se ORCA po e vazhdon fushatën e orkestruar për ta penguar në zhvillimin akademik dhe profesional.

Ky është reagimi i plotë i Dugollit:

Fushata e orkestruar e ORCA-s dhe mbështesve të saj, po vazhdon!

Qe një vit, Organizata ‘’ORCA’’, e inicuar, siç thotë ajo nga një e-mail anonim, po vazhdon fushatën e orkestruar, mbase të mbështetur edhe nga struktura të tjera, për të më penguar mua në zhvillimin akademik dhe profesional dhe për t’i realizuar interesat e tyre me qëllim të kapjes së Universitetit, për të ndalur mendimin ndryshe, në organet vendimmarrëse të UP-së dhe me qëllim të realizimit të interesave të tyre biznesore.

Përmes këtij reagimi dua të kundërshtojë vendimin e Këshillit të Etikës, të datës 16.06.2022, si vendim joprofesional, arbitrar, të ndikuar nga ‘’ORCA’’ dhe Rektori i UP-së, të cilët për të realizuar interesat e tyre, për të mbajtur në kontrollë UP-në, po vazhdojnë këtë fushatë, tash e një vit, duke shmangur fokusin nga zhvillimet e dëmshme për universitetin, nga aspekti menaxherial, deri të keqpërdorimet e rënda të detyrës dhe buxhetit të UP-së.

Këshilli i Etikës, me atë vendim, pa marrë në konsideratë shkresat e mia dhe provat e ofruara nga platforma tjetër e detektimit të plagjiaturës dhe pa marrë në konsideratë asnjë mendim profesional, vjen në përfundime të cilat i kënaqin egot e denoncuesve dhe mbështetësve të kësaj kampanje të orkestruar.

Për mua, ky vendim është i pa pranueshëm dhe joprofesional!

Unë do t’i ndjekë të gjitha proceduat e apelimit, ndërsa e konfirmoj se nuk do të ndalem në promovimin dhe mbrojtjen e Universitetit të Prishtinës, siç e kam bërë gjithmonë, tash e 26 vite.

B.D. / KultPlus.com

Të ngjajshme