“Peep Show Box” sjell Pazarit të Vjetër të Shkodrës në mini-teatër letre

21 Gusht, 2025 - 4:40 pm

Më 27 gusht, nga ora 10:00 deri në 13:00, në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi” do të zhvillohet punëtoria krijuese “Peep Show Box: Një teatër prej letre i Pazarit të Vjetër të Shkodrës”, e udhëhequr nga artistja Jozefina Vokrrin.

Kjo veprimtari u dedikohet nxënësve, të cilët do të mësojnë të ndërtojnë një mini-teatër prej letre, të frymëzuar nga fotografitë e Koleksionit Marubi që dokumentojnë jetën e gjallë të dikurshme të Pazarit të Vjetër të Shkodrës.

“Peep Show Box” është një format vizual ku përmes një kutie të punuar me dorë, krijohet një skenë me disa shtresa, duke i dhënë spektatorit ndjesinë e thellësisë dhe një rrëfim vizual të gjallë. Teknikë e njohur që prej shekullit XIX, ajo rikthehet sot si një mjet edukativ dhe imagjinativ për të sjellë më afër trashëgiminë urbane dhe vizuale të qytetit.

Ky aktivitet synon jo vetëm të nxisë kreativitetin, por edhe të afrojë të rinjtë me artin, fotografinë dhe historinë e Shkodrës përmes lojës dhe krijimit./KultPlus.com

Të ngjajshme