Për 15 vjet është përcjellë jeta e shitësve të kikirikëve në Kosovë, sot ky projekt filmik pranohet në Berlinale

18 Janar, 2024 - 8:18 pm


“Afterwar” nga Birgitte Stærmose dhe i bashkëprodhuar nga
Kabineti është përzgjedhur për Berlinalen e këtij viti. Ky film është një testament kinematografik mbi pasojat afatgjata të luftës, i bashkëkrijuar për një periudhë 15-vjeçare. 

Kur vëmendja e mediave ndërkombëtare kalon nga një luftë në tjetrën, çfarë u ndodh njerëzve që mbijetuan dhe fëmijëve që u rritën gjatë luftës? Cilësdo luftë, kudo. 

Regjisorja daneze e filmit, Birgitte Stærmose, e nisi incizimin e një filmi të shkurtër me një grup fëmijësh në Kosovë para 15 vjetëve. Fëmijët po shisnin kikirikë e cigare në rrugët e Prishtinës për të mbijetuar pas luftës. Të njëjtët fëmijë bëhen burra para syve tanë, përderisa përpjekja për mbijetesë bëhet përpjekje për një të ardhme. Në një bashkëkrijim me kastën, Stærmose e ka bërë filmin “AFTERWAR” film mahnitës në rrafshin kinematografik e mbërthyes në rrafshin emocional, dhe një portret kolektiv të një gjenerate të tërë të të mbijetuarve, i cili menjëherë tërheq paralele me të gjithë fëmijët e kapur nga luftërat sot. 

Birgitte Stærmose thotë: “Gjatë 15 vjetëve që i kam njohur dhe kam punuar me Xhevahiren, Gëzimin, Shpresimin dhe Besnikun, kam qenë dëshmitare e efekteve afatgjata të luftës në jetën e tyre. Kur takojmë njerëz që vuajnë më shumë se ne, shpesh e përdorim keqardhjen për ta tejkaluar parehatinë tonë. Nëse na vjen keq për një person tjetër, na duket se e kemi kryer tonën. Doja të bëja një film që nuk e lejon këtë reagim dhe, në vend të tij, që krijon një hapësirë të parehatshme për shikuesin. Një hapësirë ku ju jeni të pasigurt dhe të ballafaquar me pasivitetin tuaj. Unë jam ndryshuar thellësisht nga puna me kastën, dhe në mënyrë të ngjashme, do të doja që audienca të dilte nga kinemaja pa mundur që t’i harrojë fatet e tyre.” 

Filmi është prodhuar nga “Magic Hour Films”, në bashkëprodhim me “Kabineti” nga Kosova, “Vilda Bomben Film” nga Suedia dhe “Bufo” nga Finlanda, me përkrahjen e Institutit Danez të Filmit, Qendrës Kinematografike të Kosovës, Institutit Suedez të Filmit, Fondacionit Finlandez të Filmit, AVEK, Yle dhe Fondacionit “Fritt Ord”. 

AFTERWAR do ta ketë premierën botërore në programin Panorama të Berlinales së këtij vit./KultPlus.com

Të ngjajshme