Për 40 vjet regjistroi 70 mijë orë lajme në kaseta VHS

20 Nëntor, 2019 - 10:42 am

Feministja dhe aktivistja për të drejtat qytetare, Marion Stokes, për 40 vjet kishte incizuar plot 70 mijë orë lajme televizive përgjatë afër katër dekadave.

Ajo lëshonte VCR-në  (Incizuesin e Videokasetave) dhe në kasetat VHS kishte regjistruar lajmet ditore nga kanale të ndryshme televizive në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Stokes përshkruhet si aktiviste radikale komuniste e cila qe shndërruar në arkiviste të pasur dhe të mbyllur. Gjendja e mirë financiare ia kishte mundësuar asaj nisjen e këtij projekti dhe më 1979, gjatë Krizës Iraniane me Pengje ajo kishte filluar t’i regjistrojë lajmet në kaseta. Këtë projekt e kishte vazhduar deri në vitin 2012, pra deri në vitin kur kishte vdekur ku regjistrimet e fundit kishin të bënin me sulmin makabër në shkollën Sandy Hook.

Incizimet e saj kanë shërbyer si temë e regjisorit Matt Wolf në dokumentarin e tij të ri “Regjistruesi: Projekti i Marion Stokes”.

Wolf njihet për filmat e tij që për tematikë kanë pamjet dhe regjistrimet nga arkivat, mirëpo kur kishte dëgjuar për Stokes e kishte kuptuar se bëhej fjalë për diçka të padëgjuar më parë.

Kasetat e Stokes i kishin mbetur trashëgimi djalit të saj i cili ia ka dhuruar Arkivës së Internetit,  një organizateje jofitimprurëse e cila i digjitalizon materialet fizike të mediave. Këto kaseta do të jenë në faqen kësaj organizate nga ku mund të kenë qasje të gjithë. Andaj, ka të tillë që aktin e saj e kanë cilësuar si aktivizëm socialist marrë parasysh qasshmërinë e lirë për të gjithë në arkivat e siguruara nga ajo.

Madje, nga aktivizmi i saj do të përfitojnë edhe vetë televizionet që nuk e kanë në dispozicion materalin që ato vetë e kanë prodhuar ndër vite por që është regjistruar nga tashmë e ndjera, Stokes. / KultPlus.com

Të ngjajshme