Për herë të parë Kosova pjesë e çmimit të BE-së për letërsi

16 Prill, 2020 - 4:06 pm


Për herë të parë Kosova do të jetë pjesë e çmimit të BE-së pë letërsi, shkruan KultPlus.com

“Këtë vit Kosova është një nga 13 shtetet pjesëmarrëse (Belgjika, Bosnja dhe Hercegovina, Danimarka, Estonia, Gjermania, Kosova, Kroacia, Luksemburgu, Mali i Zi, Maqedonia, Norvegjia, Qiproja dhe Spanja)”, thuhet ndër të tjera në njoftim.

“KOSOVA PJESË E ÇMIMIT TË BE-së PËR LETËRSI

Këtë vit Kosova është një nga 13 shtetet pjesëmarrëse (Belgjika, Bosnja dhe Hercegovina, Danimarka, Estonia, Gjermania, Kosova, Kroacia, Luksemburgu, Mali i Zi, Maqedonia, Norvegjia, Qiproja dhe Spanja) për çmimin e Bashkimit Europian për letërsi, që synon afirmimin e kreativitetit dhe diversitetit gjuhësor e kulturor në letërsinë bashkëkohore të Europës.

Ky është edicioni i dymbëdhjetë i çmimit të BE-së për letërsi (EUPL) ku Kosova merr pjesë për herë të parë. Çmimin e bashkëfinancon programi i Komisionit Europian Europa Kreative që ka për qëllim të nxisë dialog ndërkulturor dhe promovim të arritjeve artistike në zhanrin e romanit. Në konzorcium të këtij çmimi marrin pjesë edhe Këshilli i shkrimtarëve europianë, Federata e botuesve europianë, si dhe Federata ndërkombëtare dhe europiane e librashitësve.

Në fazën e parë të kësaj gare, juritë kombëtare të shteteve pjesëmarrëse i kanë propozuar listat e ngushta të autorëve pjesëmarrës të cilat mund të gjenden në uebfaqen e EUPL-së : https://www.euprizeliterature.eu/news/eupl-2020-shortlist

Juria kosovare e përbërë nga Lindita Tahiri (kryetare), Osman Gashi, Festa Molliqaj dhe Lindita Rugova i kanë dhënë secili nga disa propozime, dhe pas shqyrtimit të kritereve të konkurrimit, në listën e ngushtë kanë mbetur këta autorë: Azem Deliu me romanin Shënimet e krimbit Smolinski, Majlinda Bregasi me romanin Gërsheti i prerë, dhe Shpëtim Selmani me romanin Libërthi i dashurisë. Listën e ka aprovuar Këshilli i EUPL-së, dhe kriteret për pjesëmarrje kanë qenë: autori të jetë në fillim të karrierës letrare dhe të ketë botuar minimum dy e maksimum katër libra, romani të jetë botuar 18 muaj para shpalljes të fituesit dhe të përfaqësojë vlera europiane, duke përjashtuar çfarëdo paragjykimi ndaj grupeve të caktura shoqërore, racizëm, seksizëm, pornografi, homofobi apo urrejtje.

Fituesi i çmimit nga lista e ngushtë do të shpallet në 19 maj, dhe EUPL do ta botojë antologjinë vjetore me fragmente nga romanet fituese të këtij çmimi, duke synuar një audiencë më të gjërë dhe qarkullim të teksteve në gjuhët europiane. Fituesit do të marrin shpërblimin prej 5.000€ dhe do të promovohen ndërkombëtarisht në panaire të librave”.

Të ngjajshme