Për herë të parë, Kosova pranohet në organizatën më të madhe të floklorit ‘CIOFF’

17 Nëntor, 2021 - 3:30 pm

Ansambli i Këngëve dhe Valleve “ Kemajl Azizi” nga Vitia, është pranuar zyrtarisht partner i Organizatës CIOFF,  që përndryshe është partner zyrtar i UNESCO-së  (Organizata për Edukim, Shkencë dhe Kulturë e Kombeve të Bashkuara), përcjellë KultPlus.

Komuna e Vitisë ka njoftuar për lajmin përmes një postimi në llogarinë e tyre zyrtare në “Facebook”, ku edhe kanë bërë të ditur se me të gjitha votat e shteteve anëtare me të drejtë vote, është votuar në kongresin 50-të në Budabest të Hungarisë që A.K.V “Kemajl Azizi” nga Kosova të jetë partner zyrtar i kësaj organizate që cilësohet si ndër më të mëdha në botë.

Arsim Abazi, Drejtor Ekzekutiv i AKV “Kemaj Azizi”,  ka potencuar rëndësinë e pranimit të Kosovës në këtë organizatë ndërkombëtare duke thënë se Integrimi ne arenën ndërkombëtare për promovimin e trashëgimisë kulturore në nivel ndërkombëtar është shumë e rëndësishëm për vendin tonë. Ai shtoj se përmes tyre, Kosova po promovon vlerat e mirëfillta kulturore të etnosit shqiptar në çdo cep të botës. 

Drejtori Abazi falënderoj të gjithë ata që kanë mbështetur A.K.V “Kemaj Azizi” në këtë arritje në veçanti kryetarin e komunës së Vitisë, Sokol Haliti më pas edhe Ministrinë e Punëve të  Jashtme dhe Diasporës, Ambasadën e Kosovës ne Hungari por edhe të gjithë artistet e këtij ansambli për punën e tyre të madhe duke u zotuar se ata do të vazhdojnë të promovojnë vlerat e mëdha që ka kultura shqiptare në Kosovë.

Këshilli Ndërkombëtar i Organizatave të Festivaleve Folklorike dhe Arteve Popullore është një organizatë ndërkombëtare joqeveritare në Partneritet Zyrtar me UNESCO-n dhe është i akredituar për të ofruar shërbime këshillimore për Komitetin e Konventës së UNESCO-s për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore. /KultPlus.com

Të ngjajshme