Për herë të parë në Prishtinë, inaugurohet këndi i lodrave për fëmijë me nevoja të veçanta

19 Dhjetor, 2022 - 1:35 pm

 

Prishtina po zhvillohet çdo ditë e më shumë, këto ditë janë një shpresë e re edhe për njerëzit me nevoja të veçanta të cilët janë në pritje të integrimit sa më të madh të tyre në shoqëri.

Një hap i ri në këtë aspekt është hedhur pikërisht sot.

‘Architech Festival – Edicioni i tretë’’, financuar nga OSCE Misioni në Kosovë, dhe i mbështetur nga Komuna e Prishtinës përmes Drejtorisë së hapësirave publike dhe parqeve, përmes një ceremonie kanë bërë sot inaugurimin e këndit të lodrave për fëmijë me nevoja të veçanta në lagjen Ulpiana. Ky intervenim, po ndodhë për herë të parë në Prishtinë dhe ajo çka solli sot ishte buzëqeshja në fytyrat e këtyre personave e që ishte çmimi i gjithë punës që është bërë për të hedhur këtë hap të parë.

Fillimisht, u mbajt një konferencë për media në ambientet e KultPlus Caffe Gallery ku u fol më shumë rreth këtij projekti.

E para që mori fjalën, ishte Kosovare Sadiku, Drejtoreshë ekzekutive në OJQ YARL. Sadiku tregoi se përmes kësaj punëtorie, rinia ka pasur mundësi të qaset në proceset e dizajnit urban duke u bazuar në praktikat e mira bashkëkohore dhe gjithëpërfshirëse duke ditur se gjithëpërfshirja është çelësi për një mjedis më empatik, kreativ e inovativ e fëmijët duhet të jenë të parët që mësojnë ti përqafojnë dallimet.

“Është kënaqësi që jemi mbledhur sot këtu. Ne i kemi filluar punëtoritë qysh nga muaji maj, ku janë përfshirë të rinjtë nga fusha të ndryshme, që të gjithë këta të rinjë të trajnohen fillimisht e të përgatiten profesionalisht për dizajnimin e hapësirës Ulpiana. Ne, gjatë punës i kemi takuar edhe komunitetin që t’i përfshijmë në projekt dhe duke i pyetur se cilat janë nevojat e tyre dhe si e  shohin ata lagjen Ulpiana dhe çka është e përshtatshme për ta, që projektet të jenë gjithëpërfshirëse. Ky është projekti i parë që është bërë por do të vazhdojmë edhe edicionin e ardhshëm. Neve synojmë që të krijojmë një grup të përbashkët të këtij komuniteti që të flasim për projektet dhe aktivitetet që janë në të mirë të tyre”, u shpreh Sadiku.

Tutje fjalën e mori Pascale Roussy, Drejtoreshë e Departamentit të Demokratizimit OSCE Mission in Kosova.

Roussy u shpreh se shumë falënderuese për të gjithë ata që punuan në këtë projekt kaq të veçantë.

“Inaugurimi i këndit të lodrave që mund të shfrytëzohen nga fëmijët me nevoja të veçanta është arsyeja që jemi mbledhur këtu. Përfshirja e të rinjëve në planifikimin e hapësirave publike është pjesë që ne e shtyjmë përpara dhe e inkurajojmë Komunën e Prishtinës të veprojë njëjtë. Kjo është hera e parë që lodra të tilla janë duke u instaluar në Prishtinë dhe inkurajojnë Komunën që të vazhdojë investimet e ngjashme edhe në hapësirat e tjera. Ne si OSBE me mision në Kosovë mendojmë që gjithëpërfshirja është esencial dhe inkurajomë Komunën e Prishtinës që të ofrojë sa më shumë mundësi që të rinjtë të kenë jetesë më të mirë”, u shpreh ndër të tjera Roussy.

Ndërsa Donika Çetta, Drejtoresha e Hapësirave Publike dhe parqeve në Komunën e Prishtinës, u shpreh e gatshme në përkrahjen e projekteve të tilla.

“Jam shumë e gëzuar sot që po fillojmë me implementimin e projektit të parë në të mirë të personave me nevoja të veçanta. Jetojmë në një shoqëri demokratike dhe diversiteti do të thotë vlerë. Deri tash asnjëherë nuk është menduar edhe përfshirja e komunitetit në dizajnimin dhe plotësimin e kërkesave të tyre për hapësirën publike. Me këtë rast, njëra ndër përzgjedhjet e projektit është bërë pikërisht për fëmijët me nevoja të veçanta , andaj shpresoj që ky shembull të merret edhe në lagjet e tjera në implementimin e projekteve të tilla”, u shpreh Çetta.

Pas këtyre fjalën, të pranishmit morën rrugën për në parkun e Ulpianës, për të inauguruar këndin e lodrave për fëmijët me nevoja të veçanta.

Ishin Elmi Fazliu dhe Florent Salihu, dy të parët që i provuan këto lodra dhe buzëqeshja e tyre ishte dhurata më e mirë që mund të merrnin të gjithë ata që punuan për jetësimin e këtij projekti.

Me fjalë falënderuese e gëzim në fytyrat e të gjithëve, ky moment i shpërndau të pranishmit me shpresën që projekte të tilla t’i shtohen sa më shumë Prishtinës. / KultPlus.com

Të ngjajshme