Për herë të parë, Shqipëria me resort të skive

30 Janar, 2021 - 6:26 pm

Kryeministri Edi Rama tha se, “krijimi i resortit të parë të skive në Shqipëri, në zonën e Nikolicës, do të sjellë shumë më tepër turistë, në Korçë”.

Gjatë një bashkëbisedimi të dielën, me qytetarë në Korçë, Rama theksoi se “Korça sot nuk është më në fazën a do të ketë më turistë, nuk e ka më Korça këtë problem. Korça ka hyrë në një fazë që do të ketë problemin si do të përballojë turistët dhe mendoj se ne kemi dhe disa ndërhyrje të tjera për të bërë këtu, siç është ajo për krijimin e resortit të parë të skive në Shqipëri në zonën e Nikolicës, që është një ndërhyrje që do të sjellë shumë më tepër turistë”- tha Rama .

“Unë kam parë një pistë që është modeste këtu afër dhe është e përmbytur nga kërkesat dhe nga studimi që kemi bërë, jemi mahnitur që janë afro 1 mijë shqiptarë shkojnë në resorte dimërore skishë çdo vit”, tha ai.

“Afro 1 mijë është statistikë nuk është opinion. Pra janë shqiptarë që shpenzojnë pa llogaritur këtu se çfarë mund të sjellë Korça të huaj. Provat tashmë janë, vetëm nga Fesat e Birrës e cila filloi si festë lokale u kthye, në një destinacion me fluks vizitorësh që vinin nga Greqia, Maqedonia e Veriut dhe të tjerë, për të marrë pjesë në këtë festë”- u shpreh kryeministri.

Ndërsa kryetari i bashkisë Korçë, Sotiraq Filo, u shpreh se “lajmi që dha Kryeministri Rama, për ndërtimin e resortit dimëror të skive, është fantastik dhe i garanton Korçës 4 deri 5 muaj turizëm në sezonin e dimrit”.

Ndërsa duke veçuar diversifikimin e ofertës turistike në Korçë, Filo tha se, “kemi disa iniciativa interesante siç është ajo në Turan, ku me mbështetjen  AZHBR –së është vendosur pista e hipizmit, ku dy vëllezër të apasionuar kanë bërë një hipodrom me stalla dhe pistë për kuajt ku ofrojnë shëtitje me kuaj dhe kurse për hipizmin”.

Gjithashtu tha ai, dua të diskutoj me kryeministrin edhe për pistën në Rumalasë, që mundtë shndërrohet në një aeroport për fluturimet turistike dhe sportive, që nxit më tej turizmin në këtë bashki.

“Javën e fundi balonat që erdhën në Korçë, ishin një atraksion i veçantë që solli aeronautistë nga Selaniku në bashkëpunim me Federatën Shqiptare të Aeronautikës dhe nëse krijojmë një fushë bari për këto lloj fluturimesh mund të krijojmë hedhje me parashutë duke shtuar kështu ofertës turistike në Korçë”- tha Filo.

Rama theksoi se, “sfida në Korçë është si do të përballojë kërkesat, sidomos në periudhën e fundjavës. Nga ana tjetër si do të zgjerohet koha e qëndrimit për të mos ardhur vetëm në fundjavë, por në kohë edhe më të gjatë. Pra është një situatë shumë pozitive për Korçën. Patjetër që ka këtu dhe kudo, një pjesë njerëzish që janë larg këtyre zhvillimeve. Por nuk ka një formulë magjike prandaj duhet parë se ku ishim për të marrë forcë , për të marrë energji dhe për të vazhduar që të shkojmë aty ku duhet, të shkojmë përpara deri sa e kemi bërë këtë rrugë. Se dikur thonin fasada, fasada,  por po të bëjmë një llogari sa vende pune kanë hapur “fasadat”, është pikërisht ai fillimi i ndryshimit që ka ndodhur . Sepse për çfarë duhet të vinin njerëzit më parë në Korçë, vinin vetëm, për të takuar të afërmit, normalisht, kurse sot çdo vit e më shumë kamë shumë arsye për të ardhur në Korçë, dhe detyra jonë është të shtojmë arsyet për të ardhur se kështu do shtojmë ditët e qëndrimit këtu”- deklaroi Rama. /atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme