Për nder të 110 vjetorit të lindjes së saj promovohet libri kushtuar Nënës Terezë

26 Gusht, 2020 - 5:27 pm

Suada Qorraj

Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Maqedoni në Bashkëpunim me Shoqatën për Kthimin e Shqiptarëve të Shpërngulur nga Trojet e Veta për nderë të 110 vjetorit të lindjes së Nënës Terezë ka promovuar librin “Nga Gonxhe Bojaxhiu deri te Nënë Tereza, një sagë për jetën e shqiptarëve katolikë të Shkupit”, e autorit Skënder Aasani, shkruan KulPlus.

Në promovimin e mbajtur pranë shtatores së Nënës Terëzë, në Prishtinë, Skënder Asani ka thënë se Gonxhe Bojaxhiu është shkupjania jonë, e Nëna e botës mbarë. Ai është shprehur i gëzuar për faktin se nga kryeqendra e Dardanisë po sjellë hapërimin e kalldrëmit të çarshisë të vjetër të Shkupit.

“Unë them shpesh se Gonxhe Bojaxhiu është Shkupjane e jona, ndërsa Nënë Terëza është e botës mbarë. Më lejoni të shpreh kënaqësinë time që sot këtu në Prishtinë, të sjellë nga kryeqendra e Dardanisë jehonën e një hapërimi të imtë nëpër kalldrëmin e çarshisë të vjetër të Shkupit, do të kalojnë 110 vite dhe ky hapërim do të bëhet gjithnjë e më kumbues për kohën që shkoj, e sidomos për atë që do të vijë, sepse njerëzit e mëdhenj siç ishte Nënën Tereza vijnë në këtë botë për të mbjellë farën e dashurisë dhe ngrohtësinë njerëzore”, ka deklaruar Asani.

Tutje ai ka shtuar se në kuadër të Institutit për Trashëgimi Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Maqedoni themeluar një departament që merret kryesisht me studimin e jetës dhe veprës së Gonxhe Bojaxhiut- Nënë Terezës. Sipas tij ky departament do të ndihmoj në shndërrimin e trashëgimisë të Nënës Terezë në një aset nacional.

Asani ka thënë se pllaka përkujtimore e gavruar në gjuhën shqipe mu në qendrën e Shkupit ka kthyer gjuhën e Nënës Terezë në gjurmët e themeleve dhe shtëpinë e lindjes së saj.

Ndërkaq zëvendës kryeministri i Kosovës, Besnik Tahiri ka deklaruar se botimi i këtij libri vërteton një të vërtetë për Gonxhe Bojaxhiun që na bënë krenar të gjithëve.

“Ky botim përveç që ngërthen në vete të dhëna faktike empirike studime të sakta rreth jetës, veprimtarisë, biografisë së Nënë Terezës, reflekton edhe mbi trungun familjar, shkollimin e saj, babain e saj që e vërteton saktë një të vërtetë që ne e dimë, që një shqiptare që na bënë krenar të gjithëve me punën e saj me angazhimin e saj i ka bërë nderë kombit, vendit, vendlindjes dhe të gjithë neve”, ka thënë Tahiri gjatë promovimit të këtij libri.

Ipeshkvi Don Lush Gjergji ka pohuar se promovimi i këtij libri si dhe promovimi i pllakës përkujtimore në gjhunë shqipe mu në qendër të Shkupit nderon familjen e Gonxhe Bojaxhiut, shkollën shqipe ku ajo kreu vitet e para të shkollës e mbi të gjitha na nderon të gjithë ne sepse Nënë Tereza është nëna e bija jonë që dëshmoi krishterimin tonë të lashtë arbëror dhe shqiptar si dhe vlerat e kombit tonë.

Sipas tij ishte Nënë Tereza ajo që i dha vulë dëshmisë për traditën tonë të lashtë, bukë kryp e zemër.

“Kush ma mirë se Nënë Tereza e ka dëshmuar këtë traditë, bukë, kryp dhe zemër si dhe shtëpinë e zotit e mysafirit. S’ka shtëpi pa pleq dhe pa fëmijë dhe mjerë ajo shtëpi e cila nuk ka pleq dhe fëmijë”, tha ndër të tjera Don Lush Gjergji.

Ai ka shtuar se Nëna Terezë është dhe do të mbetet e pavdekshme prandaj sipas tij ne na mbetet që ta kujtojmë e ta imitojmë atë.

“Nëna Terezë ishte, është dhe do të mbetet një shqiptare e madhe dhe e pavdekshme tashmë edhe ndërmjetësuese para zotit për të gjithë ne. Kurse neve na mbetet një borxh i madh që gjurmëve të saja të shkojmë dhe atë mos ta harrojmë por mundësisht edhe ta imitojmë”, përfundoj ipeshkvi.

Recensenti i librit “Nga Gonxhe Bojaxhiu deri te Nënë Tereza, një sagë për jetën e shqiptarëve katolikë të Shkupit”, Mehmet Prishtina, gjatë këtij promovimi tha se recensionin e tij e kishte titulluar “gjetja e copëzave gati të humbura të një mozaiku shpirtëror” sepse ky libër synon që të rikthej në binarët e duhur studimin dhe hulumtimin shkencor mbi një traditë pak a shumë të mohuar por asnjëherë të harruar.

Ai ka shtuar se në këtë libër për herë të parë bëhen publike fotografi, faksimile e disa letra origjinale që Nëna Terezë i kishte dërguar familjes së saj.

“Aspekti i dokumentar dhe arkivor këtë libër e bënë më të besueshëm në sytë e lexuesit për faktin që përpos jepet një tablo më e zgjuar e historive individuale të familjeve katolike shqiptare në Shkup për herë të parë bëhet publike edhe disa dokumente, fotografi e faksimile përfshirë edhe letra origjinale e Nënë Terezës dërguar familjes së saj” ka deklaruar Prishtina.

Profesoresha Migena Orlati ka vënë në pah faktin që historia jonë çdoherë ka pasur burra të fuqishëm, por sipas saj ishin gratë, motrat e nënat shqiptare ato që humanizmin e kishin pjesë të jetës së tyre.

“Është shumë interesant se në historinë tonë shqiptare gjithmonë kemi pasur burra të fuqishëm, po ashtu duhet të kthejmë sytë nga nënat, motrat nga ato të cilat patriotizmin e kishin në mendje përpara se ta kishin si veprim, ato të cilat humanizmin e kishin në çdo sjellje, në çdo fjalë dhe gjatë gjithë jetë së tyre e promovuan qoftë si nëna, si bija apo si humaniste të të gjthë botës sikurse që ishte nëna jonë e shtrenjtë Nënë Tereza” ka deklaruar ajo.

Tutje Orlati ka shtuar se ky libër por edhe monumentet që janë kushtuar Nënës Terezë anë kënd trojeve shqiptare dhe Evropës shënojnë vulën e saj të përjetësisë.

Gjatë ditës së sotme në qytetin e Shkupit është përuruar pllaka përkujtimore kushtuar Nënës Terezë. Pllaka e re e cila është rindërtuar në vendin ku ishte shtëpia e lindjes së Nënës Terezë do të jetë në tri gjuhë, maqedonisht, shqip dhe anglisht.

Të ngjajshme