Ministri Mehaj me vendim për 4 Korrikun: Në të gjitha kazermat e FSK-së të ngritet flamuri amerikan

4 Korrik, 2021 - 9:56 am

Për Ditën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ministri i Ministrisë së Mbrojtjes Armend Mehaj, ka uruar popullin amerikan për këtë festë, duke marr vendim që në të gjitha kazermat e FSK-së të ngritet flamuri amerikan. KultPlus ju sjell të plot urimin e ministrit Mehaj.

Miq të dashur amerikan,

Zyrtarë, diplomatë e ushtarakë,

Të dashur qytetarë të vendi tim,

Sot bashkë me urimin e 4 Korrikut- Ditën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kam marrë vendim që në të gjitha kazermat e FSK-së të ngritet flamuri amerikan në kujtim dhe nderim të të gjithë burrave e grave të kombit amerikan, të cilët me sakrificë të madhe dhe vendimin e tyre historik ndryshuan fatin, jo vetëm të kombit amerikan, por edhe të gjithë popujve tjerë liridashës në Botë.

Vlerat amerikane, natyrshëm janë pjesë e identitetit tonë shtetëror dhe qytetarë, sepse e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja jonë qëndrojnë të palëkundura në themelet e Lirisë, Barazisë dhe Drejtësisë së 4 Korrikut.

Si Ministër i Mbrojtjes dhe si qytetarë i Republikës së Kosovës, uroj nga zemra të gjithë burrat e gratë e vendit mik, SHBA-së, me të cilët bashkë, si një trup i vetëm, po rrugëtojmë në zhvillimin dhe forcimin e Republikës së Kosovës.

Urim të veçantë për të gjithë, ushtarakët e Forcave Amerikane për shërbimin vetëmohues për ruajtjen e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në vendin tonë dhe anekënd Botës.

Një urim të veçantë edhe për të gjithë vëllezërit amerikan në armë me të cilët shërbyem së bashku në operacionet e përbashkëta.

Paqi gjithmonë bekimin e Zotit ju bashkë me vendin dhe bashkëkombësit tuaj.

Gëzuar 4 Korrikun!

Gëzuar Ditën e Pavarësisë!/KultPlus.com

Të ngjajshme