Përfaqësues shtetërorë, bashkëpunëtorë dhe qytetarë nderojnë jetën dhe veprën e profesor Shyqri Nimanit

23 Qershor, 2023 - 7:18 pm

Sot u mbajt mbledhja komemorative ku u përkujtua jeta dhe trashëgimia artistike e Shyqri Nimanit, piktorit, dizajnerit grafik dhe profesorit shqiptar i cili vdiq dje në moshën 82-vjeçare. Mbledhja u mbajt me pjesëmarrjen e përfaqësuesve shtetërorë, bashkëpunëtorëve dhe qytetarëve që shprehen ngushëllime për vdekjen e Nimanit, një krijuesi i cili la gjurmë të pashlyeshme në identitetin e artit shqiptar, shkruan KultPlus.

Veprimtaria e tij artistike, e shpërndarë në rryma të ndryshme të artit, cilësitë e tij si profesor dhe veçoritë e tij si njëri ishin e përbashkëta e të gjitha fjalimeve që mbajtën sot folësit në këtë mbledhje.

Të gjithë të pranishmit fillimisht mbajtën një minutë heshtje dhe më pas fjalën i pari e mori Alban Nimani, djali i profesorit të ndjerë, i cili falënderoi të pranishmit për prezencën dhe për ngushëllimet e shprehura në këto ditë pikëllimi për familjen Nimani.

“Faleminderit të gjithëve për respektin dhe ngushëllimet tuaja për këtë rast të vështirë për familjen tonë, shpresoj që babain ta kujtojmë me kujtimet më të mira edhe në të ardhmen” , u shpreh Nimani.

Më pas, fjalën e mori, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e cila e përshkruajti këtë takim si një moment të vështirë që e simbolizon ndarjen me një person që do të mbetet model, ku fuqia e tij shpirtërore, përkushtimi dhe kreativiteti i tij do të jetë motiv për t’i dalë zot çdo detyre.

“Profesor Nimani, artisti ynë i shquar e profesori i merituar këto dashuri i pati të përhershme dhe të pashkëputshme. Ai i ndau ato me familjen, me miqtë, studentët, institucionet, me shtetin e kombin e vetë, duke u mishëruar fort me ta. Profesor Nimani do të gjejë paqen në botën e përtejme duke e marrë me vete dashurinë e njerëzve që patën fatin ta njihnin, ta kishin në familje, e duke na e lënë prapa veprën e jashtëzakonshme artistike, pasionin e madh për atin, kujtimin e pasosur si njeri, e ëndrrën për t’i ngjarë sado pak”, tha mes tjerash presidentja Osmani duke cilësuar më tutje që arti që Nimani ka lënë pas vetes, do ta mbajnë popullin e Kosovës përjetësisht të lidhur me të.

Më pas, fjalën e mori ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, i cili shprehu ngushëllimet në emër të Qeverisë së Kosovës, Ministrisë së Kulturës por edhe në emrin e tij personal. Çeku tha se lajmi i ditës së djeshme ishte i papritur, marrë parasysh planet artistike që Nimani ia kishte komunikuar ministrit në bisedat e tyre të ditëve të fundit.

“Kështu do ta kujtoj gjithmonë, plot energji, plot entuziazëm, plot zell. Një shqiptar i devotshëm, një njeri i botës, që e shihte botën me syrin e një shqiptari pa asnjë kompleks, me shumë mburrje e krenari për historinë e kombit të tij, një personalitet poliedrik që ka punuar në shumë fusha, ka lënë shumë vepra, shumë gjurmë, jo vetëm në numër, por edhe në cilësi me shumë elegancë e me shumë stil. Ne natyrisht që na takon që të bëjmë më të mirë tonë si institucione për ta kultivuar këtë trashëgimi që na ka lënë pas”, tha ministri Çeku në fjalimin e tij.

Ndërkaq, bashkëpunëtori i Shyqri Nimanit, Jusuf Buxhovi, u shpreh se Shyqri Nimani i takoi brezit të intelektualëve e krijuesve që mund të quhen brezi i Republikës së Kosovës, brez, i cili në fund të viteve 60’ta, 70’ta, 80’ta e tutje krijoi platformën intelektuale, institucionale e shpirtërore të një rrugëtimi fillimisht kah barazia dhe më vonë kah ajo e pavarësisë.

“Sot, përshëndetem nga krijuesi që i ka dhënë shpirt, identitet dhe art Kosovës. Emri i Shyqri Nimanit do të mbetet gjithmonë imazh i dokumentit siç është ai i Pavarësisë së Kosovës. Unë kujtoj se i kemi dy dokumente madhore në historinë e kombit tonë, shpallja e Pavarësisë në vitin 1912 që e identifikon Ismail Qemalin dhe po ashtu shpallja e Pavarësisë së Kosovës e mbërthyer në atë letrën të cilën Shyqri Nimani e dizajnoi”, u shpreh Buxhovi në fjalimin e tij.

Për një fjalë rasti u ftua edhe bashkëpunëtori tjetër i profesor Nimanit, poeti Lulzim Tafa, i cili ndau me të pranishmit bisedat e tyre të përhershme dhe vlerësimet e tij si artist, njohës i artit dhe si një profesor shembullor.

“Unë nuk do të them që profesor Nimani ka qenë profesor i mirë, profesor Nimani ka qenë profesori më i mirë. Për të gjithë ne kolegët, bashkëpunëtorët, studentët, profesor Nimani do të mbetet modeli i profesorit dhe intelektualit”, tha poeti Tafa.

E në fund, fjalën e mori edhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, i cili vlerësoi lart kontributin e profesorit Nimani në shumë dokumente, dizajne e dorëshkrime të rëndësishme për artin në Kosovë.

“Emri i Shyqri Nimanit, këtij njeriu me talente të panumërta është gdhendur tash e përgjithmonë në fushën e artit, ose thënë më saktë, të arteve sepse kontributi i tij shtrihet në arte të shumta. Kontributet e gjithëndryshme të tij shtrihen larg përtej dizajnit karligrafik, dizajnit grafik, ai ishte edhe sfidues e historian i flaktë i artit që gjurmoi artistët shqiptarë gjatë renesancës italiane nëpër Evropë ose edhe gjatë perandorisë osmane, duke na lënë disa monografi mbresëlënëse”, theksoi Rama në fjalimin e tij, duke shprehur më tutje ngushëllime për familjarët, bashkëpunëtorët dhe të gjithë ata që patën fatin ta njohin profesor Nimanin.

Ndërkaq, ju kujtojmë që Shyqri Nimani vdiq dje në moshën 82-vjeçare.Ai ishte piktor, dizenjues grafik dhe pedagog shqiptar. Është i mirënjohur nëpër hapësirat shqiptare për kaligrafimin me dorë në pergamen të Deklaratës së Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, në vitin 2008./ KultPlus.com

Të ngjajshme