Performanca “K’tu jemi!” vjen më 29 prill në Ditën Botërore të Vallëzimit

25 Prill, 2022 - 7:15 pm

Performanca e vallëzimit e titulluar “‘K’tu jemi!” së shpejti vjen si protestë e koreografëve kundër shkeljes së dinjitetit profesional, përcjell KultPlus.

“K’tu jemi!”, do të organizohet më 29 prill pikërisht në Ditën Botërore të Vallëzimit, duke filluar nga ora 10:00.

Performanca-protestë do të mbahet në sheshin Zahir Pajaziti, para Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

KultPlus më poshtë ua sjell postimin e plotë të koreografit Robert Nuha:

Kjo performancë-protestë organizohet nga koreografë e kërcimtarë profesionistë që jetojnë e veprojnë në Republikën e Kosovës, me qëllimin e vetëm që zëri i tyre të dëgjohet qartë dhe të mos injorohet si deri më tash nga institucioni i MKRS-së.

Me këtë rast ne kërkojmë vlerësimin e shkollimit tonë në Koreografi, angazhimin dhe konsulencën me ekspertizën e kësaj pjese të rëndësishme të shoqërisë!

Fyerjet publike, të cilat tentojnë të zh’bëjnë shkollimin tonë, janë të papranueshme. Është ky edukim universitar që bën të mundur kontributin tonë në shkollimin e brezave të ardhshëm në Kosovë.

Baleti, Kërcimi dhe Koreografia egzistojnë në Kosovë qe pas lufte. Detyrë e Ministrisë dhe e ministrit është mbështetja dhe përkrahja e jo të fyhet e degradohet për ditë pa marrë përgjegjësi askush! / KultPlus.com

Të ngjajshme