13 Qershor, 2025 - 4:44 pm
Java Kulturore Izraelite bëri një mbyllje dinjitoze dhe emocionale me performancën “I carry you hold”, që foli me gjuhën e trupit, ndjesinë dhe praninë.
Në një hapësirë të pakompromis të veprimeve fizike, një grua dhe një burrë u përballën, bashkëjetuan, sfiduan njëri-tjetrin, jo për të fituar, por për të kuptuar.
Kjo performancë, e cila shënoi eventin përmbyllës të Javës Izraelite, ishte një histori për fuqizimin dhe emancipimin e ndërtuar në çdo lëvizje. Artistët realizuan me mjeshtëri një duet dhe detaje që mbajtën pezull vëmendjen e të pranishmëve.
Baleti modern “I carry you hold”, është fitues i çmimit “Best Performance 2022”.
Kjo vepër është një dëshmi e fuqisë së vallëzimit për të rrëfyer histori me ndjeshmëri dhe mjeshtëri.
Në vijim, Javët Kulturore Ndërkombëtare do të sjellin art e kulturë nga Suedia.
Java nga 13-19 qershor do të jetë një javë e pasur me aktivitete që sjellin më të mirën nga arti dhe kultura suedeze./atsh/KultPlus.com