6 Gusht, 2025 - 8:40 pm
Ekspedita arkeologjike në kalanë e Gjirokastrës e ndërmarë nga Instituti i Trashëgimisë Kulturore me pjesëmarrjen e arkeologëve shqiptarë dhe të huaj ka përfunduar.
Zbulimet e reja përfshijnë gjurmë të një kulle të periudhës së antikitetit të vonë të shek. V–VI të erës sonë si dhe skeletin e një kali dhe të një luftëtari. Gjithashtu janë zbuluar objekte arkeologjike me vlerë, të cilat i përkasin periudhës së Bronzit të Mesëm dhe të Vonë.
“Pas 4 javë gërmimesh në kalanë e Gjirokastrës ne kemi mbyllur me sukses ekspeditën tonë, mund të themi se kemi patur gjetje materiale përveç skeleteve, kemi gjetur fragmente qeramike që i përkasin periudhave të ndryshme, gjetje metalesh”, tha Pamela Llapaj, arkeologe.
Ndërsa arkeologët u rikthyen pas gati 30 vitesh në këtë monument me vlera unikale e cilësojnë të rëndësishme këtë ekspeditë që pasuron historikun e kalasë së Gjirokastrës.
“Është një ekspeditë mjaft e suksesshme sepse kemi arritur qëllimin tonë, kemi gjetur pjesë të një fortifikimi të hershëm para periudhës së mesjetës, duke na ndihmuar të mësojmë më shumë për historikun dhe për arkeologjinë e kalasë dhe vetë qytetit përpara periudhës së cilës kemi dijeni”, shtoi arkeologia Llapaj.
Zbulimet e fundit arkeologjike zgjerojnë hartën e vizitueshmërisë duke e bërë më interesantë për turistët vizitën në kalanë e gurtë.
Më tej, Pamela thekson se: “Mund të shërbejnë sepse njerëzit dhe turistët janë gjithmonë të interesuar për të parë historinë dhe për ta njohur më mirë dhe aq më tepër kur në një kala mesjetare zbulohen mure të antikitetit të vonë të cilat janë të hershme”.
Kalaja, si histori e lidhur me qytetin e Gjirokastrës, përmendet për herë të parë në vitin 1336. E megjithatë historianë të ndryshëm mendojnë së egzistenca e Kalasë së gurtë është më e hershme. Kulmin e historisë së saj kjo kështjellë do ta kishtë në periudhën e Pashallëkut të Janinës kur Ali Pashë Tepelena do të realizontë një sërë ndërtimesh të reja duke i dhënë Kalasë së Gjirokastrës fizionominë arkitektonike dhe ndërtimore që ka sot.