21 Korrik, 2025 - 11:19 pm
Në ambientin e fshatit piktoresk Kukaj, mbrëmë u shënua nata përmbyllëse e festivalit Etno Fest, edicionit të XV-të, përcjell KultPlus.
Në edicionin i cili erdhi me moton ‘Identiteti’, mbrëmë u ndanë edhe çmimet në kategori të ndryshme.
Në vijim, KultPlus ua sjell njoftimin e plotë të Etno Fest:
Etno Fest – Edicioni XV
IDENTITETI
Nata e fundit
U nisëm në këmbë drejt vendit ku kishte nisur gjithçka.
Rrugicat prej guri, oborret e heshtura dhe muret që ruajnë kujtime, na pritën si të ktheheshim pas shumë vitesh jo si mysafirë, por si bij të shtëpisë.
Fshati Kukaj, dikur i braktisur, sot rreh si një zemër kulturore e gjallë dhe mikpritëse.
Më pas, u futëm në Etno Kompleks, aty ku gurët, druri dhe hija e lisit mbajnë frymën e kohës.
Brenda kompleksit, në kuadër të festivalit shijuam për herë të fundit për këtë edicion ekspozitat, si një tribut për artin bashkëkohor që buron nga rrënja: piktura, vizatime, skulptura, dhe instalacione që flisnin me materialet e dheut, ngjyrat e shpirtit dhe gjuhën e heshtur të kujtesës. Arti ishte bërë një me hapësirën jo si dekor, por si zë.
Në një mbrëmje të mbushur me emocion, u nderuan artistët që i dhanë zë, trup dhe shpirt këtij edicioni. Çmimet u dhanë jo vetëm për mjeshtërinë, por për ndjeshmërinë që ngjalli secili prej tyre në zemrat tona. Ishte një falënderim i heshtur dhe një duartrokitje që zgjati më shumë se tingulli i saj.
Pas dhjetë ditëve të mbushura me emocione, art dhe shpirt tradite, juria profesionale e përbërë nga:
Klara Shehu (profesoreshë e antikës në Sorbonë – Kryetare),
Agron Gërguri (dramaturg),
Skënder Boshtrakaj (skulptor),
Dilaver Kryeziu (koreograf), dhe
Albin Kushnini (dramaturg),
ndau me vlerësim të thellë 16 çmime për arritjet më të dalluara artistike të këtij edicioni.
Nga fusha e teatrit:
Aktorja më e mirë:
Vefi Redhi – për interpretimin e saj në shfaqjen “Engjëjt”,
Aktori më i mirë:
Mentor Zymberaj – për interpretimin e tij në shfaqjen “Arka”,
Skenografia më e mirë:
Bekim Korça – për punën skenike në shfaqjen “Jam unë ajo”,
Regjia më e mirë:
Naser Shatrolli – për regjinë e shfaqjes “Engjëjt”,
Shfaqja më e mirë:
“Sarakasi Trust” – shfaqje e dance teatrit, Kenia.
Nga fusha e etnokulturës:
Vallëtarja më e mirë:
Viola Aqifi – SH.K.A. “Jahi Hasani”, Gostivar,
Vallëtari më i mirë:
Sako Murati – SH.K.A. “Vaçe Zela”, Lushnje,
Këngëtarja më e mirë:
Ceylan Taci,
Këngëtari më i mirë:
Servet Jeshili – SH.K.A. “Vaçe Zela”, Lushnje,
Instrumentisti më i mirë:
Leonard Cakolli,
Kostumografia më e mirë:
Mercedes Pereira,
Etnokoreografia më e mirë:
Ansambli “Dibra e madhe”,
Etnoansambli më i mirë:
SH.K.A. “Jahi Hasani” – Gostivar,
Etnoperformanca më e mirë:
“Dialog me traditën”.
Çmimet speciale:
Çmimi special i Etno Festit:
Liburn Jupolli Ensemble,
Çmimi i karrierës:
Drita Krasniqi.
Defatorët nga Gjakova, Shpejtim Smaqi dhe Besnik Qeli, të shoqëruar nga mjeshtri i ritmit Leonard Cakolli në bateri, u ngjitën përsëri në skenë si një forcë natyrore që zgjon dheun dhe zemrat.
Me çdo goditje, me çdo valë drite që lëshonin krahët e defit, ata sollën jo vetëm muzikë, por një histori të lashtë që pulson në damarët e kohës. Ritmi i tyre ishte një thirrje e zjarrtë, një përqafim i traditës dhe i së tashmes, që i bëri veshët të tundeshin dhe shpirtin të kërcente.
Në tingujt e tyre ndjeje se një energji e papërshkrueshme fluturonte në ajër, duke lidhur çdo dëgjues me rrënjët e thella dhe me ëndrrat e reja.
Leonard Cakolli në bateri dha zemrën e rrahjes së gjallë, që mbështeti dhe ngjalli frymën e defatorëve, duke krijuar kështu një urë mes të kaluarës dhe të ardhmes. Ishte një performancë që la mbresa, një festë e ritmit që do të mbahet gjatë në kujtesën e të gjithëve.
Pastaj… për të mbyllur natën, zëri i Edonës u ngjit butë mbi qiellin e Kukajt.
I kthjellët, i ngrohtë, i ngjashëm me ajrin e freskët të mbrëmjes, atë ajër që mban brenda vetes kujtime, zëra të vjetër dhe fryma që nuk janë shuar kurrë.
Ajo nuk këndoi për të ndalur asgjë. Përkundrazi, këndoi që ritmi të mbetej gjallë, si një rrymë e brendshme që pulson edhe kur gjithçka hesht.
Zëri i saj përhapej ngadalë, si një dritë që zbret mbi fytyrat tona, si një frymë që përqafon njerëzit me tokën, me vendin, me kujtesën.
E bukur në theksin vokal të saj, e gjallë në çdo fjalë, Edona solli një energji që nuk shteron por veç rritet.
Rritet në heshtje, në thellësi, si gjithçka që lind nga rrënja, nga dhimbja, nga dashuria e paemër që na lidh me njëri-tjetrin.
Dhe pasi Edona përfundoi koncertin, dritat u fikën, skena heshti, por shpirti i tregimit po fluturon me qylymin e gjyshes, për t’u kthyer kur të ndizen dritat sërish vitin tjetër. Deri atëherë… mirëmbetshi, publik i dashur!
Nga Albin Kushnini
Fotografitë nga Adi Beqiri./ KultPlus.com