Përfundon sezoni i kërkimeve arkeologjike të vitit 2023, në Durrës

17 Gusht, 2023 - 5:00 pm

Akademia e Studimeve Albanologjike beri me dije se, sapo ka përfunduar sezoni i kërkimeve arkeologjike të vitit 2023, si pjesë e projektit “Dyrrachium në Antikitetin e vonë”. Ky është një projekt i Institutit të Arkeologjisë (ASA), drejtuar nga prof. asoc. dr. Brikena Shkodra-Rrugia dhe asistuar nga bashkëpunëtorë të specializuar arkitektë, arkeologë të Departamentit të Arkeologjisë dhe Trashëgimisë Kulturore në Universitetin e Tiranës, si edhe studentë të arkeologjisë në Universitetin e Prishtinës.

Realizimi i këtij projekti u bë i mundur falë mbështetjes shkencore dhe financiare të Institutit të Arkeologjisë, bashkëpunimit me Ministrinë e Kulturës dhe institucionet e saj të vartësisë si edhe mbështetjes së përhershme të Bashkisë së Durrësit përmes ndihmës së ofruar për rikthimin e hapësirës së gërmuar në gjendjen e para gërmimit.

Gërmimi mundësoi dokumentimin e detajeve të rëndësishme arkitektonike dhe stratigrafike të cilat rivlerësojnë kohën e ndërtimit të këtij monumenti në gjysmën e dytë të shek.V si edhe konfirmojnë ndryshimin e destinacionit të kësaj hapësire të qytetit. Forumi Rrethor duket se përfaqëson një fazë të rëndësishme të monumentalizimit të një hapësire dikur me funksione domestiko/artizanale në qendrën publike shumëfunksionale të qytetit antik të vonë.

Gjurmë të mëtejshme strukturore dëshmojnë format e ripërdorimit dhe përshtatjeve të hapësirave artizanalo-tregtare të Forumit Rrethor. Që prej fundit të shek.VI duket se ambientet perimetrale që qarkojnë kolonadën rrethore, përjetojnë një fazë ndërhyrjesh transformuese arkitektonike dhe funksionale. Tavernat e shek.VI fraksionohen me materiale të thjeshta të ripërdorura duke krijuar disa ambiente më të vogla të karakterit domestik, të dhëna të reja këto për fillimin e një faze tjetër transformimesh, të cilat do të zbehin gradualisht karakterin urban të qytetit./atsh/

Të ngjajshme