Përkthimet e Vlora Konushevcit publikohen në revistën prestigjioze amerikane “The Common”

4 Tetor, 2022 - 5:02 pm

Përkthimet e Vlora Konushevcit të tri poezive nga gjuha shqipe në gjuhën angleze, të poeteve shqiptare, janë botuar  në revistën prestigjioze amerikane “The Common”. Poezia e Donika Dabishevcit “Dashnisë së nji nate”, Blerina Rogova Gaxhas “Thasë” dhe Vlora Konushevcit “Produktet Ballkanike” flet anglisht në këtë numër të revistës. 

“The Common”, është revistë letrare, e cila botohet në formën e shtypur dhe në versionin digjital dy herë në vit. Publikimet e revistës janë e vlerësuar me shumë çmime prestigjioze siç janë: The Pushcart Prize; O. Henry Prize 2022; PEN/AmericaRobert J. Dau; PEN Translation Prize 2017 dhe të tjera. Revista ”The Common”, boton tregime të shkurtra, ese, poezi dhe imazhe që mishërojnë ndjenjën e fuqishme të përkatësisë ndaj një vendi. Common Online publikon përmbajtje origjinale katër herë në javë, duke përfshirë vlerësime librash, intervista, ese personale, tregime të shkurtra, poezi, podkaste, regjistrime të kontribuuesve dhe prodhime të veçanta multimediale. 

“The Common”, ka një histori të pasur letrare dhe mbështet një larmi të bollshme krijuesish. Me bazë në kolegjin Amherst, i cili sipas revistës Forbes zë vendin e 24 në renditjen e top 500 kolegjeve kryesore në SHBA, “The Common”, nxit frymën krijuese rajonale duke bashkuar komunitetin kombëtar dhe ndërkombëtar përmes botimit të letërsisë dhe artit nga e gjithë bota, duke i sjellë kështu lexuesit në një hapësirë të përbashkët. 

Vlora Konushevci në Shënimin e përkthyesit thotë se   qëllimi i përkthimit letrar, përveç ruajtjes së misterit poetik dhe pasurisë figurative, është që të funksionojë në gjuhën e synuar, të tingëllojë natyrshëm dhe ta ruajë tonin dhe ndjesinë. 

“Është shumë më e lehtë nëse përkthyesi është i dashuruar me të dyja gjuhët – me fjalë të tjera logofil, pasi akti i përkthimit letrar është thjesht një akt dashurie. Dhe është fat kur përkthyesja letrare është edhe vet poete”, shprehet Konushevci. Poetja dhe përkthyesja Konushevci thotë se është përpjekur t’i ofroj lexuesit atë që gjermanët e quajnë zeitgeist(shpirt). 

“Ky përkthim tenton t’i kapërcejë boshllëqet gjuhësore dhe kulturore, duke qenë e vetëdijshme se fryma e poezisë qëndron në përdorimin e gjuhës figurative, në një hapësirë metaforike që i kapërcen kufizimet tradicionale të gjuhës”, ka theksuar Konushevci. /KultPlus.com

Të ngjajshme