Përkujtohet 101-vjetori i lindjes së Ismail Qemalit të kinemasë

6 Janar, 2021 - 7:58 pm

Nuk mund të ketë shqiptar, të madh a të vogël, që jeton brenda apo jashtë trojeve shqiptare, të mos ketë parë së paku një herë në jetë filmin “Nëntori i Dytë” dhe portretizimin real që aktori Sandër Prosi i ka bërë plakut mjekërbardh, Ismail Qemali.

Sot ndoshta nje pjesë e madhe e njerëzve e kanë të pamundur të shkëpusin karakterin e realizuar mjeshtërish nga Prosi, nga babai i kombit.

Por një tjetër figurë ikonike e kinemasë shqiptare, Dhaskal Todri do të ketë sërish portretin e aktorit të madh, i cili do të arrijë të pamundurën për gjuhën shqipe.

Një personazh i ngulitur fort në kujtesën kolektive të publikut. Ky aktor do të krijonte mbi 85 role në teatër në 75 vepra të autorëve shqiptarë si si A.Z. Çajupi, K. Jakova, B. Lëvonja, L. Papa, I. Kadare, T. Laço, R. Pulaha, D. Agolli, Dh. Xhuvani dhe të autorëve të huaj si Shekspiri, Shileri, Çehovi, Karaxhale, Gorki, Brehti etj”, shkruan teatri.

Sandër Prosi interpretoi në rreth 30 filma, ku krijoi role të tilla që kanë hyrë në fondin e qëndrueshëm të teatrit dhe kinematografisë tonë. Për ndihmesën e tij të madhe në zhvillimin e artit tonë skenik e kinematografik ai është nderuar me titullin e lartë “Artist i Popullit”, me Çmime të Republikës dhe me urdhra e medalje.

Sandër Prosi lindi në Shkodër, më 6 janar 1920. Pasi mbaroi shkollën fillore vazhdoi gjimnazin e Tiranës. Merr pjesë në dramën “Vilhelm Teli”. Shkon për studime në Austri për dentist, të cilat nuk i mbaroi. Më 1947 merr pjesë në konkursin pranë Teatrit Popullor dhe e fiton atë. Që këtu fillon dhe veprimtaria e tij e gjërë dhe e larmishme artistike.

Ndërsa roli i tij i parë ka qenë ai i Shaqir Agës në komedinë “Prefekti” të Besim Lëvonjës, që u prit mjaft mirë, dhe ku aktori luajti krahas Loro Kovaçit, Mihal Popit, Marie Logorecit etj. Ishte viti 1961 kur ai mori rolin e parë në film si drejtorit të shkollës në filmin “Debatik”. Në filmin “Vitet e para” ai i bëri përshtypje spektatorit për një konkretizim të qartë të personazhit të Abdylit, duke mbetur në mendje të çdokujt për një kohë të gjatë. Sandër Prosi vdiq atëherë kur mund t’i jepte akoma role të bukura skenës dhe ekranit. U vlerësua me çmime, tituj e medalje, si dhe me titullin e lartë “Artist i Popullit”. U nda nga jeta duke xhiruar metrat e fundit të filmit “Pranverë e hidhur” më 24 mars 1985. Dhe pranvera i hidhur ishte vërtet për të./ KultPlus.com

Të ngjajshme