Përkujtohet 110 vjetori i lindjes së shkrimtarit, Mark Ndoja

29 Mars, 2022 - 12:01 pm

Si sot, më 29 mars të vitit 1912, u lind intelektuali, shkrimtari, përkthyesi dhe politikani, Mark Ndoja.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave përkujtoi sot 110 vjetorin e lindjes së shkrimtarit Mark Ndoja.

Në vendlindje, në Iballë (Pukë), Ndoja kreu vetëm dy vjet të arsimit fillor, pasi familja e tij u shtrëngua të largohej për shkak të problemeve ekonomike dhe politike. Në maj të vitit 1926, delegati i Papës, Monsinjor Della Pietra, i mundësoi përftimin e një burse për të vazhduar ciklin e plotë të studimeve tek jezuitët.

Ndërkohë, nisi të shfaqte ambiciet letrare duke shkruar vjersha dhe poema, por shumica e dorëshkrimeve të tij u botuan pas vitit 1990.

Kishte një formim në traditën klasike, duke njohur mirë gjuhët e huaja, sikurse latinishten, greqishten e vjetër, italishten dhe gjermanishten. Pas mbarimit të studimeve, në dhjetor të vitit 1937, punoi si kujdestar i Liceut të Korçës deri në qershor 1939. Në shkurt 1940 emërohet profesor në Liceun e Shkodrës. Njëkohësisht u mor dhe me përkthime, duke përshtatur nga shqipja në italisht poezi të Fishtës, Mjedës dhe Serembes.

Gjithashtu, përktheu në shqip nga Homeri, kënga I – VI, nga Horaci, dhe më e rëndësishmja, përkthimi i plotë i ” Komedisë Hyjnore”, i dyti pas atij të Pashko Gjeçit.

Në vitin 1942 përfshihet në Lëvizjen Nacional-Çlirimtare dhe në vitin 1943 del “ilegal”. Gjatë kësaj kohe përdori pseudonimin e luftës, “Profi”. U zgjodh në funksione të rëndësishme në Komitetin Qarkor të Shkodrës dhe në njësinë ushtarake, Batalionin “Perlat Rexhepi”. Mori pjesë në luftimet e zhvilluara në Reç të Shkodrës dhe në Degë të Tropojës,  gjatë Operacionit Gjerman të Dimrit.

Pas çlirimit të vendit, në dhjetor 1945, zgjidhet deputet i Pukës në Asamblenë Kushtetuese. Në të njëjtin vit dekorohet me “Medaljen e Kujtimit”, “Medaljen e Çlirimit” dhe “Urdhërin e Flamurit”. Në janar 1947 zgjidhet Sekretar i Përgjithshëm i Institutit të Shkencave, ( pararëndes i Akademisë së Shkencave). Pas këtij funksioni zgjidhet Sekretar i Lidhjes së Shkrimtarëve. Në këtë periudhë, Ndoja do ta pësonte nga përfshirjet në dikutimet ideologjike në Lidhjen e Shkrimtarëve, gjatë një spastrimi të një grupi shkrimtarësh në vitet 1953-1954.

Ndoja u përjashtua nga partia dhe u arrestua në vitin 1955. Pasi kreu dënimin, punoi për pak kohë si përkthyes i jashtëm në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”. Në vitin 1964, u internua në Zvërnec, nga ku do të lirohej në vitin 1968. Vdiq më 22 qershor 1972./atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme