Përkujtohet aktorja Adriana Abdullahu, Kurti: Padrejtësia e vrasjes së saj la jehonë të pazëvendësueshme

22 Mars, 2024 - 11:40 pm

Sot, Teatri Kombëtar i Kosovës përkujtoi aktoren Adriana Abdullahu, e cila u vra nga forcat serbe 25 vjet më parë, përcjell KultPlus.

I pranishëm në këtë ceremoni ishte edhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti, i cili pas ceremonisë shkroi në profilin e tij në Instagram se padrejtësia e vrasjes së Adrianës la jehonë të pazëvendësueshme.

Në vijim, KultPlus ua sjell postimin e kryeministrit Kurti:

Sot u mblodhëm për 25-vjetorin e vrasjes së aktores Adriana Abdullahu nga të shtëna të forcave serbe.

Padrejtësia e vrasjes së Adrianës la jehonë të
pazëvendësueshme. Humbja e saj fizike asnjëherë nuk do të ngadhënjejë mbi fuqinë e saj pozitive shpirtërore. Këtë e dëshmon edhe Teatri i Ferizajt ku zhvillohen gjeneratat e reja artistësh nën ombrellën e emrit Teatri “Adriana”.

Ne kujtojmë jetën dhe kontributin e saj në art dhe kulturë, duke përkujtuar ngjarjet dhe vlerat që ajo përfaqësonte. E ajo na rikujton që arti dhe kultura ndonëse zhvillohen në kohë, nuk varen prej kohës, dhe se arti dhe kultura janë thelbi i rezistencës së popujve të shtypur, që duan dhe arrijnë lirinë.

Mbi krahët e lirisë së Republikës sonë, atë po e bartin dhe jetësojnë brezat e rinj të aktrimit, bashkë me shembullin e dashurisë për teatrin, artin, të bukurën.

Lavdi jetës dhe veprës së Adriana Abdullahut!
I përjetshëm e përherë i ri qoftë kujtimi për të!/KultPlus.com

Të ngjajshme