Përkujtohet Arbën Xhaferi, shtatë vjet pas vdekjes

15 Gusht, 2019 - 11:31 am

Sot mbushen shtatë vjet nga vdekja e ish-kryetarit të PDSH-së në Maqedoni, Arbën Xhaferi.

Ai u nda nga jeta në moshën 64-vjeçare, pasi vuante nga sëmundja e Parkinsonit, e cila ishte edhe arsyeja e tërheqjes së tij nga politika. Ishte deputet i Parlamentit të Maqedonisë që nga viti 1994, ku synonte krijimin e një sistemi dy dhomësh në institucionin ligjvënës. Në kohën e konfliktit të armatosur në vitin 2001, partia e tij ishte në pushtet.

Ishte një nga nënshkruesit e Marrëveshjes së Ohrit, por me zvarritjen e zbatimit të saj, ai synonte një marrëveshje të re midis shqiptarëve dhe maqedonasve.

Arbën Xhaferi u lind në Tetovë më 24 janar 1948. Ka punuar në redaksinë e Kulturës të Televizionit të Prishtinës dhe në fillim të viteve 90, ishte rikthyer për të jetuar në Tetovë, ku në vitin 1994 themeloi Partinë për Prosperitet Demokratik Shqiptar, e cila më pas ndryshoi emër në Partia Demokratike Shqiptare.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, përmes një shkrimi në Facebook bashkëngjitur një foto me të, ka thënë se ai ka lënë gjurmë në historinë shqiptare, dhe jo vetëm si politikan.

“7 vjet më parë u nda nga jeta miku im, Arbën Xhaferri, i cili ka lënë një gjurmë të madhe në historinë shqiptare jo vetëm si politikan, por edhe si shkrimtar, gazetar dhe intelektual i shquar. Arbën Xhaferi kujtohet me mirënjohje për aktivitetin e tij patriotik duke u angazhuar me përkushtim çështjes kombëtare gjatë gjithë jetës së tij. Ai njihet gjithashtu edhe për punën e palodhur që ka bërë në kultivimin e vlerave të lirisë e demokracisë duke këmbëngulur që kombi ynë të mbaj orientimin gjeopolitik drejt Perëndimit”, ka shkruar Veseli.

Image

E ka kujtuar edhe kryeministri i dorëhequr, Ramush Haradinaj. Ai ka thënë se “Arbën Xhaferi shënon kthesë në avansimin e të drejtës shqiptare!”.

“Arbën Xhaferi ishte personaliteti që gjithë jetën e tij ia dedikoi kauzës sonë, të drejtave të ligjshme të popullit tonë. Sot në përvjetorin e shtatë të vdekjes së tij, Arbën Xhaferin e kujtojmë si veprimtar, atdhetar dhe politikan, që dëshmoi se identiteti ynë, e drejta jonë, peshojnë më shumë se çkado tjetër në jetën e njeriut. Lider i pakompromentuar dhe me ideale të larta, Xhaferi do të kujtohet përherë si mendimtar i lirisë, që u bë zë dhe udhërrëfyes i shumë brezave”, ka shkruar Haradinaj. / Koha.net/ KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme