Përkujtohet Bedri Pejani, i përsekutuar dhe mohuar nga diktatura

23 Nëntor, 2022 - 10:42 am

Muzeu Kombëtar “Shtëpia me Gjethe” përkujtoi firmëtarin e mohuar dhe të persekutuar nga diktatura Bedri Pejani.

Bedri Pejani lindi në Pejë më 10 tetor 1885. Arsimin e kreu në Robert College në Stamboll, për t’u diplomuar më pas për Histori. Rilindas i shquar, ai organizoi një numër kryengritjesh antiosmane në vitet 1908-1912. Për shkak të aktivitetit të tij, ai u dënua me vdekje nga gjykata osmane e Prizrenit.

Si përfaqësues i Plavës, Gucisë, Gjakovës dhe Pejës, ai mori pjesë në Kuvendin e Vlorës më 28 nëntor 1912. Është gjihashtu firmëtar i Aktit të Shpalljes së Pavarësisë. Ka qenë anëtar themelues i Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”. Këmbëngulës për një Shqipëri në kufijtë etnikë, ai lobon për çështjen shqipare në Konferencën e Paqes në Paris së bashku me Hoxha Kadri Prishtinën. Për disa kohë ka qenë dhe kryeredaktor i organit “Populli”, një nga tribunat nacionaliste që botohej në Shkodër. Në parlamentin e viteve 20’, Bedri Pejani zgjidhet disa herë si deputet. Mbështet Lëvizjen e Qershorit të vitit 1924, dhe për këtë arsye u arratis nga vendi në dhjetor me rikthimin e Ahmet Zogut në Shqipëri. Në vitin 1930 u amnistua nga Mbreti Zog dhe u kthye në Shqipëri.

Gjatë pushtimit fashist, Bedri Pejani u burgos në Porto Palermo, dënim që e vuajti për 3 vite. Me daljen e tij nga burgu, në shtator 1943, ai themelon Lidhjen e Dytë të Prizrenit, për t’u bërë më pas kryetar i saj. Ishte deputetë në Asamblenë Kombëtare.

Mbarimi i luftës e gjen në Tiranë. Në vitin 1945 ai arrestohet dhe i dorëzohet autoriteteve jugosllave. Gjykata në Prizren e dënon me vdekje, ndonëse Bedri Pejani ndodhej në spital për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore. Ndërron jetë më 6 korrik 1946 në spitalin e Prizrenit./atsh/ KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme