Përkujtohet firmëtari i Aktit të Pavarësisë, Dom Nikollë Kaçorri

29 Maj, 2025 - 10:59 pm

Më 29 maj 1917, ndërroi jetë një nga figurat qendrore të klerit katolik shqiptar, Dom Nikollë Kaçorri, atdhetar, klerik dhe nënshkrues i Aktit të Pavarësisë.

Kaçorri lindi në Krej të Lurës në vitin 1862. Ai u bë dhe zëvendëskryeministri i parë i Shqipërisë në kabinetin e Ismail Qemalit.

Më 1882 mbaroi kolegjin urban për retorikë dhe gramatikë. Po atë vit shkoi në Romë ku vijoi studimet për gramatikë dhe retorikë në kolegjin urban atje. Më pas studioi për teologji, filozofi e shkenca politike në Universitetin “Zeking” në Zyrih. Më 1893 u kthye në Shqipëri, ku gjatë viteve 1905-1907 drejtoi kryengritjen e armatosur në Kurbin. Pajisi popullin me 500 armë që u shpërndanë në Kthellë të Mirditës dhe në bashkërendim me Gjin Pjetrin e Skurajve, i parapriu shpalljes së pavarësisë, duke udhëhequr me pushkë e penë kryengritjen mbarëkombëtare nga veriu në jug, në gjithë Shqipërinë etnike. Më 1908, Kaçorri mori pjesë në Kongresin e Manastirit dhe më 1909 në Kongresin Kombëtar të Elbasanit.

Krahas veprimtarisë së tij fetare dhe patriotike në shërbim të atdheut, meshtari i Durrësit, Dom Nikollë Kaçorri nisi rrugëtimin e tij me ndalesa në çdo cep të vendit, ku jehonte kënga popullore. Për të ruajtur dhe trashëguar pasurinë folkloristike, Kaçorri shkeli në çdo cep të Durrësit, të Krujës, të Shkodrës, të Pejës, të Gjirokastrës etj. Këngët kushtuar trimave, heronjve dhe kombit shqiptar i mblodhi dhe i botoi në vëllimin “Canti Albanesi Popolari”./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme