Përkujtohet Lasgush Poradeci, në 32-vjetorin e ndarjes nga jeta

12 Nëntor, 2019 - 2:32 pm

Në 32-vjetorin e largimit nga jeta të Lasgush Poradecit, bashkia e Pogradecit përkujtoi sot emrin dhe veprën e tij.

Zevendëskryetarja e bashkisë së Pogradecit, Entela Gusho, së bashku me stafin e Qendrës së Artit dhe Kulturës “Lasgush Poradeci” zhvilluan homazhe në nder të gjeniut të letrave shqipe.

Ata u ndalën fillimisht pranë vendit ku shpirti i tij prehet dhe më pas tek shtatorja në qendër të qytetit.

“Mirënjohje për veprën e tij dhe gjithçka çfarë ka lënë pas për ne dhe brezat që do të vijnë”, tha Gusho.

Poeti, shkrimtari e përkthyesi Llazar Gusho, i njohur me pseudonimin Lasgush Poradeci, lindi në datën 27 dhjetor 1899 dhe ndërroi jetë më 12 nëntor 1987 në Tiranë.

Vargjet e tij do të pasojnë kohët me krenari të përjetshme për pogradecarët dhe mbarë shqiptarët. Ai ishte shkrimtar, poet dhe përkthyes, i cili nuk bëri kurrë kompromise me artin e tij, duke i kushtuar kjo një gjendje jo të mirë ekonomike dhe indiferentizëm nga shtypi zyrtar i kohës.

Por, pas vdekjes së poetit dhe ndërrimit të sistemit, vargu Lasgushian është dhe vijon të jetë ushqim për brezat.

Poradeci është autor i dy vëllimeve me poezi “Vallja e yjeve” më 1933 dhe “Ylli i zemrës” më 1937, botuar në kryeqytetin rumun. Autor i më se 100 poezish, një pjesë prej të cilave edhe poezi dashurie. Pëlqyes i fjalëve arkaike, shprehive popullore po aq sa i fjalëve të reja dhe eksperimenteve leksikore për një amë të re. Kuteli që i redaktoi “Yllin e zemrës” e quajti “Poeti i vetëm shqiptar që mendoi, foli dhe shkruajti vetëm në gjuhën shqipe”. /atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme