Përkujtohet në ditën e lindjes poeti Havzi Nela

20 Shkurt, 2022 - 4:34 pm

Muzeu Kombëtar “Shtëpia me gjethe” përkujtoi sot në ditën e lindjes poetin Havzi Nela (20 shkurt 1934-10 gusht 1988).

Lindi më 20 shkurt të vitit 1934, në fshatin Kollovoz të Kukësit. Pasi kreu shkollën fillore dhe të mesme, filloi studimet në Institutin e Lartë Pedagogjik të Shkodrës, por u përjashtua për bindjet e tij, i cilësuar si element destruktiv. Pas shumë vështirësish, filloi punë si mësues në shkollën fillore të Planit të Bardhë, në Mat. U dëbua dhe nga ky fshat për shkak të aktivitetit të dyshimtë: u lexonte nxënësve poemat e tij.

Më vonë arriti të përfundonte Institutin e Lartë Pedagogjik të Shkodrës me korrespondencë. Punoi si mësues në fshatra të ndryshme, si Kruma, Lojma dhe Shishtaveci, deri në vitin 1967, kur u transferua në Topojan. U mor në paraburgim shumë herë dhe kontrollohej vazhdimisht. Kufizohej mbi llojin e punës që mund të bënte dhe ku mund të jetonte. Më 26 prill 1967, bashkë me të shoqen, Lavdien, kaluan kufirin me Kosovën.

U arrestuan nga ushtarët jugosllavë dhe u burgosën në burgun e Prizrenit. Më 6 maj 1967, jugosllavët i kthyen në pikën kufitare të Morinës, në këmbim të shqiptarëve nga Kosova, që qeveria komuniste e Enver Hoxhës ia dorëzonte policisë sekrete jugosllave, UDB-së.

Më 22 maj 1967, u dënua me pesëmbëdhjetë vjet burg për kalim të paligjshëm kufiri. E gjithë pasuria e tij u konfiskua. E shoqja u dënua me dhjetë vjet burg. Më 8 gusht 1975, i shtuan edhe tetë vite të tjera. U lirua më 19 dhjetor 1986, por vetëm për një kohë të shkurtër. Më pak se një vit më vonë, më 12 tetor 1987, u internua në fshatin Arrën.

Më 24 qershor 1988, Gjykata e Lartë hodhi poshtë kërkesën e Lavdie Nelës, dhe ai u dënua me varje. Është dekoruar me medaljen “Martir i Demokracisë”./ atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme