Përkujtohet në përvjetorin e lindjes Preng Doçi, abati i Mirditës

25 Shkurt, 2022 - 11:00 am

Shkuri është muaji përkujtimor i abatit të Mirditës, imzot Preng Doçit. Largpamësia dhe urtësia e shquanin kollajshëm në radhët e qarqeve klerikale këtë figurë krenarisht shqiptare, që sikurse plazmohet nga tregimtarja, Edith Durham, “ngrinte duart me kryelartësi dhe entuziazëm drejt qiellit mrekullisht të kaltër” në viset e epërme të vendit tonë.

Dom Preng Doçi e ka ushtruar dëshirëplotë meshtarinë. Imzot Doçi u pri nga shëmbylltyra e meshtarëve të zellshëm dhe atdhetarë, e për këtë frymë të paujdisshme devocioni, pësoi heqjen e lirisë edhe në mërgim. Në lartësinë e prelatit, udhëhoqi Abacinë që iu besua, si edhe nuk reshti duke kontribuar në çështje themelore për kombin.

U lind në shkurt të vitit 1846 në lagjen e Parasporit, në afërsi të luginës së Bulgrit, e ndodhur në rrjedhën e poshtme të lumit të njohur të Fanit. Pikëtakimet e para me mjedisin kishtar i patën koordinatat në rezidencën ipeshkvnore të Lezhës, ku do të qëndronte deri në përfundim të shkollës fillore. Në vitin 1856, në moshën 14-vjeçare, kreu Seminarin Papnor të Shkodrës. Rezultatet e lëvdueshme do ta shpinin në vitin 1861 për të marrë formim teologjik në Kolegjin Urban të Romës.

Pas mbarimit të studimeve, u caktua famullitar në Korthpulë. Ishte një prej organizatorëve të kryengritjes së viteve 1876-1977 të mirditasve kundër pushtuesve osmane. Qe pikërisht ky zhvillim që çoi në pezullimin e shërbimeve të tij meshtarake. I gjendur në këto rrethana, u shtrëngua të largohej nga vendi, por në rrugën e arratisë, u zu rob nga ushtarë turq në Vuthaj të Gucisë.

U dërgua në burgun e Stambollit, ku arriti lumturisht të kontaktojë me patriarkun katolik të atjeshëm, Stefan Azarjan, i cili mundësoi me orvatjet e tij lirimin nga burgu të Doçit, me kushtin që të largohej nga territori i Perandorisë Osmane. Prej këtej, imzot Doçi u vendos në Romë, ku mori miratimin e Selisë së Shenjtë për t’u nisur me mision drejt “Tokës së Re”, Amerikës. Kësisoj, në vitin 1877, qe shqiptari i parë që shkeli kontinentin e ri.

Megjithatë, vijonte të ngulmonte për një kthim sa më të afërt në atdhe. Kështu, pas kërkesave të pareshtura, më 6 nëntor 1888, mundi të kthehej në vendlindje me detyrën e abatit të Abacisë “Nullius” të Mirditës, ku shërbeu për 28 vjet. Imzot Doçi ndërroi jetë më 22 shkurt të vitit 1917.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave publikoi sot dokumentin ku paraqitet fermani i sulltan Abdyl Hamidit, për emërimin e Doçit si peshkop i Mirditës./atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme