Përkujtohet Rexho Mulliqi, Rudi: Ndonëse Rexhoja nuk krijoi shumë vepra, rëndësia e tyre është e shumëfishtë

25 Shkurt, 2022 - 3:43 pm

Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit, Filarmonia e Kosovës dhe Universiteti i Prishtinës sot kanë përkujtuar kompozitorin e njohur shqiptar, Rexho Mulliqi, në 40-vjetorin e vdekjes së tij, përcjell KultPlus.

Në këtë ceremoni ku u kujtua jeta dhe vepra e Mulliqit u përmendën edhe bashkëpunimet e tij me shumë artistë të njohur.

Ceremonia e moderuar nga Dardan Selimaj dhe Rreze Kryeziu, u pasurua edhe me interpretimin e dy veprave të autorit Mulliqi e që janë ‘Me lule’ dhe ‘Baresha’.

Muzikologja Rreze Kryeziu para të pranishmëve ndajti disa nga momentet kyqe të jetës dhe veprimtarisë së Rexho Mulliqit.

“Pjesë përbërëse e gjeneratës së parë të kompozitorëve shqiptarë është pikërisht kompozitori Rexho Mullaj. Së bashku me kompozitorin Lorenc Antoni, jetuan dhe kompozuan në kohën e ish-Jugosllavisë, kur Kosova kishte fituar autonominë brenda Jugosllavisë. Megjithatë, kishte edhë momente brenda kësaj periudhe kur artet filluan kultivimin e tyre si dhe u ngritën institucionet universitare e performuese profesionale të ndryshme” – thotë Kryeziu duke shtuar se Mulliqi njihet si pionier i muzikës artistike në Kosovë jo vetëm për faktin se kanë krijuar bazat modern te një krijimtari muzikore por edhe për bartjen e përvojave nga puna me amatorë në këtë fushë, përcjell KultPlus.

“Ai është përfaqësues i identitetit kulturor kombëtar të Kosovës, tek i cili inspirimi nga folklori vërehet të jetë prezent në veprat e tij, por gjithmonë I trajtuar në suazat e hapësirave të tjera krijuese evropiane. Nga moduset e veprimtarisë së përbashkët në relacionin folklor-kompozitor, relacioni I tij është me karakter dhe shfaqet me përfshirjen e idiomës folklorike në gjuhën e tij.” – vazhdon ajo.

Më pas, solistja Urta Haziri dhe kompozitori Valton Beqiri sollën një interpretim të pashoq të këngës ‘Një lule’.

Ndonëse në këtë ceremoni mungoi profesor Rafet Rudi, u lexua fjala e tij për kompozitorin Rexho Mulliqi, të cilin ai e cilëson si nismëtar të muzikës artistike te ne.

“Ndonëse Rexhoja në kohën kur i bënte hapat e parë në krijimtari, nuk ka mundur plotësisht të jetë në korrent me aktualitetet muzikore në botë, për shkak të jetës së varfër muzikore që ekzistonte atëherë këtu, megjithatë, ai kishte njohje më tepër të veprimtarisë së kompozitorëve ‘stilistikisht të përmbajtur’, sesa të atyre ‘radikalistëve’ të tipit të treshit vjenez. Kurse, ishte krejtësisht larg muzikës së postvebrnistëve të kohës, të cilët ai i konsideronte ‘kundërshtarë ideologjikë’.” – thuhet në fjalimin e tij të lexuar nga Dardan Selimaj.

Në këtë fjalim u përmend edhe jeta muzikore në Kosovë pasi Rexho Mulliqi u kthye nga Beogradi, ku studioi në degën e kompozimit.

“Pasi u kthye, Rexhoja gjeti një nivel shumë të ulët të jetës muzikore këtu te ne, sidomos në lëmin e muzikës artistike, mungonin ansamblet muzikore, orkestrat, instrumentistët, mungonte jeta e gjallë muzikore që do të nxisnin kureshtjen e tij për kombozimin e veprave ambizioze”-  thuhet në vazhdim në këtë fjalim.

Ndonëse, Rexho Mulliqi  nuk shkroi shumë vepra, Rafet Rudi vlerëson se rëndësia e tyre është e shumëfishtë.

“Rexhoja krijoi vepra të rëndësisë së tillë, që për këtu te ne ato shënojnë fillet në disa gjini. Përmes veprës së tij, kontribuoi dukshëm në formimin e një stadi të caktuar të identitetit të muzikës artistike te ne. Muzika e tij, e cila mbështetej gjithmonë në folklorin e kësaj treve, bëri një hap të madh përpara në krijimin e një muzikë autoktone.”- përfundon fjalimi i kompozitorit Rudi.

Si përfundim, kompozitori Valton Beiqiri dhe violinisti Arsim Gashi interpretuan këngën ‘Baresha’, e që konsiderohet një prej kryeveprave të kompozitorit Mulliqi./ KultPlus.com

Të ngjajshme