28 Korrik, 2025 - 2:03 pm
Muzeu Kombëtar i Përgjimeve “Shtëpia me gjethe” përkujtoi sot shkrimtarin, përkthyesin dhe studiuesin Arshi Pipa.
Arshi Pipa lindi më 28 korrik 1920, në qytetin e Shkodrës. Pasi kreu mësimet e mesme në liceun e vendlindjes, studioi Letërsi e Filozofi në Universitetin e Firences, ku u diplomua më 1942 me dizertacionin: “Morali dhe feja tek filozofi Henri Bergson”. U kthye në Shqipëri dhe deri më 1946 filloi të jepte mësim në shkollat e mesme në Tiranë dhe Durrës.
Gjatë periudhës kur Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve nisi botimin e organit të vet “Bota e Re”, Arshi Pipa me Mitrush Kutelin ishin të vetmit jokomunistë në këshillin drejtues. Iu kërkua të shkruante diçka për përvjetorin e vdekjes së Migjenit, shkrim që nuk u pëlqye nga njerëzit e partisë. Në 27 prill 1946 e arrestuan dhe e dënuan me dy vjet heqje lirie. U ridënua më 20 dhjetor 1947 me 20 vjet heqje lirie si bashkëthemelues i grupit socialdemokrat. Vuajti në burgjet dhe kampet e internimit (Durrës, Gjirokastër, Korçë, Burrel etj.) U lirua më 26 prill 1956 dhe në 1957 u arratis bashkë me të motrën. Fillimisht u vendos në Sarajevë deri në vitin 1959 dhe më pas emigroi në Shtetet e Bashkuara në 1959-n.
Vëllimin e parë poetik me titull “Lundërtarët” e botoi në vitin 1944. Të dytin, “Libri i burgut” të shkruar në letra cigaresh, në burgjet e kampet e punës së detyruar, e botoi në Romë në vitin 1959.
Nga viti 1966, ka qenë në fakultetin e Universitetit të Minnesota-s dhe Minneapolis, fillimisht si profesor i asociuar (1966-69) dhe më pas si profesor i gjuhës italiane, në departamentin e gjuhëve frënge dhe italiane.
Pipa ka lënë një trashëgimi të pasur në fushën e përkthimeve poetike nga latinishtja, italishtja, frëngjishtja, gjermanishtja, anglishtja. Gjatë kohës që jetoi si refugjat në Jugosllavi, ai përktheu një vëllim poetik me titull “Lyrika Latine”. Shkrimet e tij të botuara në shqip, anglisht, frëngjisht dhe italisht ndahen në poezi, estetikë e filozofi si dhe kritikë letrare.
Përsa u përket studimeve dhe kritikës, disa prej tyre janë: “Tipologjia dhe periodizmi i letërsisë shqiptare, “Fan Noli si një nga figurat komëtare dhe ndërkombëtare shqiptare”, “Humanistët italo-shqiptarë”, “Bisedë përmbi Kadarenë”, “Fenomeni Kadare” etj.
Arshi Pipa u nda nga jeta më 20 korrik 1997, në Uashington D.C./atsh/