Përkujtohet sot Dom Marin Shkurti, i pushkatuar nga regjimi komunist

1 Prill, 2024 - 3:04 pm

Muzeu Kombëtar i Përgjimeve “Shtëpia me gjethe” përkujton sot Dom Marin Shkurtin (1 tetor 1933-1 prill 1969).

Marin Shkurti lindi në Samrish të Dajçit të Bregut të Bunës në vitin 1933. U përgatit e u shugurua meshtar në mënyrë private prej Arqipeshkvit Imzot Ernest Çobës dhe Pjetër Demës më 22 prill 1952.

Ai ishte pjesë e një grupi të madh priftërinjsh si: Imzot Antonin Fishta, Atë Zef Pllumi dhe Atë Shtjefën Pistulli, të cilët u trajnuan dhe u shuguruan në mënyrë të fshehtë. Në vitin 1944, kleri katolik shqiptar numëronte rreth 200 meshtarë, shumica e të cilëve në vitin 1952 u dënuan me vdekje, u vranë pa proces, u burgosën e u torturuan apo u internuan nëpër kampe.

Pas mbylljes së Seminarit Papnor Shqiptar më 08 dhjetor 1961, Dom Marin Shkurti, së bashku me Dom Mikel Beltijën, u arrestua dhe u burgos në Shkodër më 27 nëntor 1968. Gjyqi i tij u zhvillua në Dajç më 20 mars 1969, ku u dënua me vdekje dhe më 1 prill 1969 u pushkatua./ atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme