Përmeti në edicionin e pestë të Festivalit “Nona”, një festë për gjyshet, traditën dhe dashurinë ndërbrezore

21 Korrik, 2025 - 3:00 pm

Kryeministri Edi Rama u ka bërë thirrje qytetarëve të ruajnë datat 8, 9 dhe 10 gusht për të vizituar qytetin e Përmetit, ku do të zhvillohet edicioni i pestë i Festivalit “Nona”, një ngjarje e veçantë kulturore që këtë vit feston 5-vjetorin e saj.

“Festivali ‘Nona’, një udhëtim i veçantë në rrënjët tona, me zemrën plot. Festojmë bashkë me gjyshet më të dashura nga gjithë Shqipëria, në një festë plot dashuri, kujtime dhe muzikë në zemër të Përmetit”, shkroi kryeministri Rama në rrjetet sociale, duke i ftuar qytetarët të bëhen pjesë e kësaj atmosfere unike.

Festivalit “Nona” është një festë treditore që kthehet çdo vit në një pikë takimi për brezat e vjetër dhe të rinj, duke kthyer parkun qendror të qytetit në një “shtëpi të gjyshes” për të gjithë. Me theks te trashëgimia kulturore, gatimet tradicionale dhe ngrohtësia e marrëdhënieve njerëzore, festivali përçon ndjesinë e komunitetit dhe afërsisë shpirtërore, përcjellë KultPlus.

Në zemër të festivalit qëndron figura e gjyshes, jo vetëm si ruajtëse e recetave dhe zakoneve tradicionale, por edhe si simbol i dashurisë pa kushte dhe urtësisë popullore. Pjesëmarrësit do të kenë mundësi të shijojnë gatime tradicionale të përgatitura me dashuri nga duart e gjysheve, të ndajnë kujtime e të këndojnë së bashku në një atmosferë festive e plot ngjyra.

Synimi kryesor i këtij festivali është të krijojë një urë dialogu midis brezave, duke promovuar afërsinë mes të moshuarve dhe të rinjve, një frymë që sfidon ndarjen gjithnjë në rritje që shpesh shfaqet në jetën moderne urbane.

Në zemër të natyrës dhe traditës, Përmeti do të ofrojë sërish këtë gusht një përvojë të paharrueshme për këdo që kërkon të lidhet me rrënjët, me njerëzit dhe me shpirtin e gjallë të Shqipërisë./KultPlus.com

Të ngjajshme