Përparim Rama viziton ‘shtëpitë-shkolla’ në 30-vjetorin e fillimit të operimit të tyre

27 Janar, 2022 - 3:18 pm

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka vizituar sot ‘shtëpitë-shkolla’ që operonin në kohën e represionit të shtetit jugosllav në 30-vjetorin e fillimit të punës së tyre, përcjell KultPlus.

Rama ka shprehur falënderim dhe mirënjohje familjeve pronare për kontributin e tyre të jashtëzakontë, përkundër rreziqeve që u kanoseshin.

KultPlus ua sjell postimin e plotë të tij:

Shënojmë sivjet 30-vjetorin që kur, të kushtëzuara nga represioni i shtetit jugosllav, filluan të operonin ato që ne i quajtëm “shtëpitë-shkolla”, pronat private që njerëz atdhedashës e vetëmohues i vunë në shërbim të shkollimit të brezave në kohë pushtimi, e kështu edhe të të mirës gjithëpopullore.

Shtëpitë-shkolla luajtën rol të madh jo vetëm për ta mbajtë gjallë arsimin shqip, të cilin regjimi pushtues i kohës e mbylli dhe e ndaloi, por edhe për ta përforcu rezistencën kundër okupatorit serb, duke shërby si vatra të dijes, e si dritare të shpresës për lirinë dhe pavarësinë e vendit tonë.

Në këtë vit jubilar, një falënderim dhe mirënjohje tejet e madhe e fort e përzemërt u detyrohet, para së gjithash, vetë familjeve pronare për kontributin e tyre të jashtëzakontë, përkundër rreziqeve që u kanoseshin. Këto familje i shndërruan shtëpitë e tyre në vatra të diturisë e të qëndresës, duke ndërmarë një akt aq fisnik, e aq bujar, që na i thek zemrat edhe sot që e kujtojmë pas kaq kohësh./ KultPlus.com

Të ngjajshme