Përplaset dhe merr flakë autobusi në Bullgari, të paktën 46 të vdekur

23 Nëntor, 2021 - 8:57 am

Të paktën 46 persona kanë vdekur e 7 janë plagosur nga një aksident tragjik në Strumës në Bullgari.

Sipas raportimeve, autobusi ishte i mbushur më së shumti me shtetas nga Maqedonia e Veriut, dhe pjesa dërmuese shqiptarë . Besohet se autobusi është përplasur e më pas është përfshirë nga flakët, e pikërisht kjo është bërë shkaku i ngjarjes tragjike.

“Denoncimi për një aksident të rëndë trafiku është bërë pak pas orës 2 të mëngjesit të sotëm. Sipas të dhënave fillestare nga autostrada e Strumës, rreth 31 km është aksidentuar një autobus i regjistruar në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Si pasojë e aksidentit kanë humbur jetën 45 persona. Në vendngjarje kanë shkuar me kohë ekipet e policisë, zjarrfikëses dhe ambulanca. Si rezultat i veprimeve të tyre të shpejta, shtatë persona janë transportuar në spital për mjekim. Po kryhet një inspektim. Qarkullimi është ndërprerë në të dy drejtimet. Një organizim i përkohshëm për lëvizje përmes p.v. Dolna Dikanya dhe p.v. Daskalovo”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Kryeministri maqedonas Zoran Zaev, zëvendëskryeministri Bujar Osmani dhe ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe tashmë po udhëtojnë për në Bullgari, konfirmoi agjencia shtetërore maqedonase e lajmeve MIA.

Mediat maqedonase, shkruajnë se në mesin e viktimave janë edhe 12 prej të mitur, dy prej të cilëve binjakë. Kjo është konfirmuar nga drejtori i Policisë Kombëtare të Bullgarisë, Staniir Stanev.

Raportohet se autobusi maqedonas ka hyrë në Bullgari mbrëmë në orën 21:00 nga vendkalimi kufitar “Kapitan Andreevo”. Ai ka udhëtuar përmes autostradës “Trakia”, e më pas përmes autostradës “Struma” deri në kufirin me Maqedoninë e Veriut në drejtim të pikës kufitare Gjueshevë, nga ku është dashur të largohet nga Bullgaria.

Dy gra dhe dy burra mbijetuan dhe u dërguan në spitalin Pirogov në Sofje.

Deri më tani hetuesit dyshojnë se dy janë shkaqet që kanë dërguar në këtë aksident tragjik. E para ka të bëjë për një defekt teknik të mjetit dhe e dyta me përgjumjen e shoferit. Rasti po hetohet nga Shërbimi Hetimor Kombëtar për shkak të numrit të madh të viktimave. Është konstatuar identiteti i të gjithë pasagjerëve që kanë kaluar kontrollin kufitar me hyrjen në Bullgari, e në këtë mënyrë është e lehtë identifikimi i viktimave.

Të ngjajshme