Përurohet kompleti i veprave të Anton Çettës

28 Nëntor, 2020 - 4:52 pm

Më 26 nëntor 2020 u bë përurimi i 13 vëllimeve të prof. Anton Çettës, me rastin e 100 vjetorit të lindjes dhe 25 vjetorit të vdekjes së profesorit.

Pas një pune disavjeçare të Degës së Folklorit me bashkëpunëtorë dhe me vajzat e profesorit, në përkrahje të plotë të Institutit Albanologjik, vëllimet arritën të botohen me financimin e Ministrisë së Arsimit të Kosovës.

Përurimi i organizua nga Ministria e Kulturës në bashkëpunim me Institutin Albanologjik, në kuadër të Muajit të Anton Çettës, të shpallur nga Ministrja e Kulturës e Kosovës, znj. Vlora Dumoshi, në mjediset e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës.

Për veprimtarinë e prof. Çettës, për rëndësinë e veprave dhe ecurinë e projektit e të botimit, folën drejtori i Institutit Hysen Matoshi, udhëheqësja e projektit Leontina Gega- Musa e udhëheqësja e Degës së Folklorit  Arbnora Dushi. U shprehën falënderime në veçanti për bashkëpunētorët dhe mbështetësit, që e bënë të mundur realizimin e këtij projekti deri në finalizim.

Të pranishëm në këtë takim qenë edhe Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti dhe ministrja e Kulturës Vlora Dumoshi, të cilët e vlerësuan lartë veprimtarinë e prof. Çettës, respektivisht shprehën mirënjohje për punën e Institutit dhe dëshirë për bashkëpunime të mëtutjeshme.

Në emër të familjes së prof. Anton Çettës shprehu falënderime për Degën e Folklorit, Institutin Albanologjik dhe Ministritë e Arsimit e të Kulturës, e bija e profesorit Donika Çetta- Junçaj.

Gjithashtu aktivitetin e nderuan tenori Liridon Sejdiu me këngën premierë për Anton Çettën dhe nipi i prof. Çettës, Antonio Junçaj me ekzekutim në piano./ KultPlus.com

Të ngjajshme